Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nju Jork bëhet qyteti i parë amerikan që ofron pilula për abortin përmes teleshëndetit

QIKA 6.10.2023

Qyteti i Nju Jorkut u bë sistemi i parë shëndetësor publik në Amerikë që ofron kujdes për abortin nëpërmjet teleshëndetit. Shërbimi që ofrohet në shtatë ditë të javës do t’u mundësoj banorëve të qytetit të Nju Jorkut të kenë qasje në kujdesin për abortin përmes kombinimit të pilulave dhe telemjekësisë.

Shërbimi Virtual ExpressCare do të ofrohet nga ora 09:00 deri në 21:00 dhe pacientët duhet të dëshmojnë se gjinden në qytetin e Nju Jorkut dhe se do të marrin mjekimin derisa janë në këtë qytet, raporton Jezebel.

Aborti nëpërmjet teleshëndetit është një formë e sigurt dhe joinvazive e cila kombinon abortin me ilaçe (pilulat mifepristone dhe misoprostol) dhe telemjekësinë (e cila lejon ofruesit e shërbimeve shëndetësore të mbikëqyrin përdorimin e pilulave të abortit përmes videokonferencës ose konsultimeve telefonike).

Lajmi është mirëpritur nga qytetarët e Nju Jorkut dhe aktivistët por po luftohet në nivel federal. Ka gjasa të mëdha që Gjykata e Lartë të revokojë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA për mifepristone gjatë mandatit të tyre aktual, dhe ky vendim pritet të merret në mes të fushatës presidenciale 2024.