Një dokumentar që paraqet përpjekjet e aktivisteve që angazhohen për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në Turqi është zgjedhur si nominimi zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë në Academy Awards. Dying to Divorce, u prodhua nga film-bërësit turq dhe britanikë dhe iu deshën pesë vjet për t’u xhiruar. Dokumentari u shfaq në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar.
Dokumentari ndjek punën e avokates Ipek Bozkurt dhe aktivistes Aysen Ece Kavas, të cilat takojnë gra të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore për t’i ndihmuar ato dhe familjet e tyre të kërkojnë drejtësi.
Bozkurt dhe Kavas janë pjesë e platformës Ne do të ndalojmë femicidet, e cila gjurmon dhunën ndaj grave në Turqi. Organizata gjithashtu ndihmon në mobilizimin e mbështetjes për viktimat dhe ushtrimin e presionit publik duke u paraqitur në gjyqe dhe duke organizuar protesta rreth rasteve. Sipas platformës deri më sot në vitin 2021, burrat në Turqi kanë vrarë 285 gra.
Së bashku me përpjekjen për të vënë në dukje marrëdhënien midis politikës dhe dhunës ndaj grave, filmi 81-minutësh ofron një vështrim të afërt, përtej statistikave – veçanërisht, në mundin fizik dhe emocional të dy grave, Arzu Boztas dhe Kübra Eken.
Teksa krijuesit e filmave presin vendimin se a do të jenë në listën e ngushtë për një nominim për Oscar – Gokce tha se ata janë duke u fokusuar që më shumë gra në vend dhe jashtë ta shikojnë dokumentarin. “Gjëja më e rëndësishme është t’u afrohemi grave në Turqi dhe në mbarë botën, sepse çështjet që ne po diskutojmë në dokumentar nuk janë çështje vetëm për Turqinë”, shtoi ajo.