Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Numri i grave irlandeze që vendosin të mos kenë fëmijë është në rritje

QIKA 14.6.2021

Numri i grave në Irlandë të cilat vullnetarisht heqin dorë nga të qenit nënë është në rritje e sipër.

Tara Mundow, 44 vjeçare, tregon se erdhi në përfundimin që nuk donte të bënte fëmijë në fundin e të njëzetave të saj. “Njerëzit më thonë se do të isha një nënë e përkryer, ndoshta edhe do të isha, por nuk dua të jem”, tha ajo. Mundow tregon se ky vendim e ka penalizuar në lidhjet e saj në të kaluarën.

Regjistrimi i vitit 2016 në Irlandë tregon se 507,949 vajza dhe gra, pra 51% e tyre nuk kanë fëmijë. Sipas Departamentit të Shëndetit, Sigurisë dhe Ambientit rreth një në gjashtë çifte heteroseksuale në Irlandë mund të përballen me problemin e infertilitetit, rreth 85% e tyre e pranojnë këtë fakt pas një viti përpjekje për të bërë fëmijë. Përderisa infertiliteti mund të shkaktojë probleme në marrëdhënie, të tilla si konfliktet martesore apo shqetësimet emocionale, problemet mund të lindin edhe si pasojë e vendimit për të mos bërë fëmijë, tregon Dr. Rita Glover, profesore e psikoterapisë në Universitetin Dublin City (DCU).

Në vitin 2019, Dr. Glover mbikëqyri një studim mbi gratë që vullnetshëm nuk donin të bënin fëmijë. Ky hulumtim u realizua nga Deirdre O’Keeffee, gjatë vitit të saj të fundit në programin master në psikoterapi në DCU. Target grup i këtij hulumtimi ishin gratë e grup moshës 30-48 vjeç. Metoda e përdorur ishe ajo fenomenologjike hermeneutike e cila u përqendrua në përvojat e jetuara të respodenteve. Sipas analizës së studimit u zbuluan katër përvoja të cilat lidhen me gratë që nuk duan të bëjnë fëmijë, një nga to është frika.

“Të kesh frikë nuk është deficit dhe ajo që gjetëm në studim është se nuk konsiderohet deficit nëse kujdesesh për shëndetin fizik dhe mendor duke zgjedhur të mos bësh fëmijë”, tha Dr. Rita Glover. Ky hulumtim është ndër të parët e këtij lloji në Irlandë, me ç’rast Deirdre O’Keeffe, e cila tani është psikoterapeute në Shërbimin e Këshillimit Studentor TCD ishte hulumtuesja kryesore, raporton The Irish Times.

Disa gra në hulumtim nuk besojnë se të qenit nënë kompleton qëllimin jetësor të një gruaje. Sipas hulumtimit ato konsiderojnë se të qenit nënë nuk është rruga që ato duan të ndjekin. Frika është shpesh prezente tek respodentet e këtij hulumtimi, kështu ato pohojnë se nëse do të bëheshin nëna do të humbnin edhe identitetin e tyre.

Tara Mundow është e martuar për 7 vite dhe shpjegon se ajo dhe partneri i saj kanë një jetë të mrekullueshme. Ajo tregoi se që të dy nuk donin të bënin fëmijë dhe se nuk kanë asnjë pendim për këtë vendim të përbashkët.

Zsanett Vegh, 37 vjeçare, e cila vjen nga një familje hungareze, tregon se si familja e saj e ka mbështetur vendimin e saj për të mos bërë fëmijë. “Nëna ime ka kaluar depresionin e pas lindjes pasi që linda unë dhe gjithmonë më ka treguar shqetësimet e saj. Ajo më thoshte gjithmonë se do të shqetësohej kur unë të kisha fëmijë sepse nuk është e lehtë. Kjo gjë ndikoi në vendimin tim për të mos bërë fëmijë”, tha Vegh.

Psikoterapeutja dhe këshilluesja, Margaret O’Connor pohon se presioni shoqëror ndikon shumë në vendimin e një gruaje për tu bërë nënë. Sipas saj të gjithë mund të bëjmë gjëra që mendojmë se duhet ti bëjmë, por kjo nuk nënkupton se duam t’i bëjmë ato gjëra.

Derisa ishte duke studiuar për studime gjinore në nivelin master në Universitetin e Limerick (UL), O’Connor realizoi një hulumtim mbi vendimmarrjen për të pasur fëmijë dhe përvojave të grave. Sipas saj ekziston një dallim thelbësor midis të bërit diçka nga nevoja e perceptuar dhe bërjes së diçkaje nga dëshira.

“Qasja që kemi ndaj prindërimit, ajo që të gjithë duan të jenë prind dhe mund të bëhen prind, dhe e vetmja arsye kur nuk mund të jesh është sepse nuk mundesh, është qasje që nuk i shërben askujt”, tha O’Connor për The Irish Times.