Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Organizata World Athletics ua ndalon grave transgjinore të garojnë në kategorinë e grave

QIKA 27.3.2023

World Athletics (WA) të enjten njoftoi mbi rregullat e reja për sportistet transgjinore, duke ia ndaluar atyre pjesëmarrjen në disa nga garat e grave.

Rregulloret e reja, të cilat hyjnë në fuqi më 31 mars, ndalojnë sportistet që kanë kaluar “pubertet mashkullor” të marrin pjesë në garat botërore të grave, raporton CNN.

“Vendimet që përfshijnë nevoja dhe të drejta konfliktuale midis grupeve të ndryshme janë gjithmonë të vështira, por ne vazhdojmë të mbrojmë pikëpamjen se duhet të ruajmë drejtësinë për sportistet gra mbi të gjitha”, tha presidenti i WA, Sebastian Coe. Ai poashtu shpjegoi se World Athletics – organi global qeverisës për atletikë – do të krijojë një grup pune për të monitoruar dhe vlerësuar çështjen e përfshirjes së transgjinorëve gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Megjithatë, disa grupe pro të drejtave të LGBTQ e kanë cilësuar vendimin si diskriminues. “Ne jemi përtej të dëshpëruar kur shohim World Athletics t’i nënshtrohet presionit politik në vend se të ndjekë parimet thelbësore të përfshirjes, drejtësisë dhe mosdiskriminimit për sportistët transgjinorë dhe atletët me variacione ndërseksuale”, tha Hudson Taylor, themelues dhe drejtor ekzekutiv i grupit të avokimit Athlete Ally.

Personat që mbështesin ndalimin e grave transgjinore nga sportet e grave kanë argumentuar se gratë transgjinore kanë një avantazh fizik ndaj grave cisgjinore në sport. Por hulumtimet e deritanishme shkencore nuk e mbështesin këtë supozim. Një raport i vitit 2017 në revistën Sports Medicine nuk gjeti “asnjë gjetje të drejtpërdrejtë ose të qëndrueshme” mbi avantazhet e sportisteve trans ndaj atyre cisgjinorë, andaj aktivistet thonë se ndalimet e tilla shtojnë diskriminimin me të cilin përballen personat trans.