Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pabarazia gjinore në Australi është shtytësi kryesor i kulturës toksike në parlamentin federal

QIKA 3.12.2021

Raporti i Kate Jenkins, komisionere për diskriminimin gjinor në Australi, ka zbuluar se 1 në 3 punëtorë të parlamentit janë përballur me ngacmime seksuale dhe 84% e tyre nuk kanë kërkuar mbështetje ose këshilla.

Hetimi i Jenkins për kulturën e vendit të punës në parlament filloi pasi ish-punonjësja e liberalëve, Brittany Higgins pohoi se u përdhunua në një zyrë ministrore në mars të vitit 2019, me ç’rast akuzat e kësaj të fundit janë pjesë e procedimit penal. Raporti tregon se pabarazia gjinore në ekosistemin politik është shtytës kryesor i ngacmimit dhe sulmeve seksuale brenda vendeve të punës parlamentare të Commonwealth.

Sipas të dhënave të raportit, 37% e të anketuarve në vendet e punës parlamentare kanë përjetuar ngacmim, 33% ngacmim seksual dhe 1% sulm seksual. Në këtë raport kërkohet të përfshihet një kod i ri i sjelljes për parlamentarët dhe stafin e tyre, duke adresuar kështu kërkesat aktuale ligjore që ndalojnë ngacmimin dhe sulmin seksual si dhe diskriminimin gjinor në vendin e punës. Ndër të tjera Jenkins rekomandoi krijimin e një Zyre të Re të Stafit dhe Kulturës Parlamentare për të ofruar mbështetje të centralizuar të burimeve njerëzore, duke përfshirë zhvillimin e politikave, trajnimin, këshillimin, mbështetjen dhe edukimin, raporton The Guardian.

Ndërsa Bruce Lehrmann, i akuzuari për përdhunimin e Higgins do të dalë në gjyq qershorin e vitit të ardhshëm edhe pse ky i fundit e mohon akuzën. Në fillim të këtij muaji, Gjykata e Lartë e Territorit të Kryeqytetit Australian, zgjati lirimin me kush të Lehrmann deri në një konferencë të çështjes penale të shkurt të vitit të ardhshëm.