Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Paragjykimet gjinore në industrinë e ndërtimit në Australi

QIKA 17.11.2021

Ndërtimi është një nga industritë më të mëdha në Australi që gjeneron vende pune me më shumë se një milion njerëz të punësuar. Megjithatë, është industria e dytë më e dominuar nga burrat, pas industrisë së minierave, ku gratë përbëjnë vetëm 18% të fuqisë punëtore në përgjithësi, ndërsa 2% në rolet tregtare.

Kristine Scheul, kryetare e Shoqatës Kombëtare të Grave në Ndërtim (NAWIC), pohon se në industrinë e ndërtimit diskriminimi gjinor është një problem i vazhdueshëm. Kështu, në disa kantiere të ndërtimit në Australi, gratë nuk kanë tualete, ndërsa të tjerat që posedojnë tualete apo dushe ato janë të hapura. Kjo gjë bën që gratë të ndihen të pasigurta në vendin e tyre të punës.

Ndër të tjera, Scheul, potencon mungesën e grave në pozicionet drejtuese, me ç’rast ato përbëjnë vetëm 15% të roleve kryesore drejtuese, 11% të roleve si drejtore dhe 3% të CEO-ve. Një nën-përfaqësim i tillë kontribuon në hendekun gjinor të pagave të industrisë prej 26%, raporton ABC News.

Kompania e infrastrukturës ACCIONA, pohon se nuk ka dyshim se paragjykimi gjinor ekziston brenda kësaj industrie. Kështu, kjo kompani vendosi që në projektin e fundit të ndërtimit të punësonte 50% të fuqisë punëtore gra, me ç’rast sipas përllogaritjeve projekti do të përfundonte para afatit kohor dhe do të kishte përfshirje më të madhe të grave punëtore.

Paula Gerber, themeluese e NAWIC si dhe profesore në fakultetin juridik në Universitetin Monash, u shpreh se nuk është e befasuar nga ky rezultat. Kjo për arsye se suksesi i ACCIONA nuk është i rastësishëm, pasi që ai arrihet kur ke më shumë gra në terren. Nëse vendosim më shumë gra në kantieret e ndërtimit komunikimi ndryshon dhe bashkëpunimi rritet.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.