Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Parlamenti rus ua ndalon personave trans operacionin për ndryshim të gjinisë

QIKA 18.7.2023

Parlamenti rus miratoi projektligjin i cili ua ndalon personave transgjinorë operacionin për ndërrim të gjinisë. Ky ligj do të ndaloj edhe ndryshimin e gjinisë në dokumente shtetërore. Ligji tani pritet të miratohet vetëm edhe nga zyra e presidentit, hap i cili normalisht shihet vetëm si formalitet.

Sipas kryetarit të asamblesë, ky ligj do të “mbrojë qytetarët dhe fëmijët”. Gjithashtu, në një postim në telegram, ai e quajti operacionin e afirmimit të gjinisë një “rrugë drejt degjenerimit të kombit”.

“Ne jemi i vetmi vend evropian që kundërshtojmë gjithçka që po ndodh në Shtetet e Bashkuara e në Evropë dhe bëjmë gjithçka për të shpëtuar familjet dhe vlerat tradicionale,” tha ai gjatë debatit në parlament. “Dhe ne duhet të kuptojmë se nuk do të ketë të ardhme nëse nuk miratojmë ligjin, nëse nuk ndalojmë ndryshimin gjinor”, shtoi ai.

Ndryshimet e reja të shtuara në projekt-ligj gjatë leximit të tij përfundimtar përfshinin ndalimin e individëve që kanë pësuar ndryshime gjinore nga birësimi i fëmijëve dhe anulimin e martesave ku njëra palë kishte pësuar ndryshim gjinie, raport BBC.

Grupet e të drejtave LGBT thanë se legjislacioni do të ketë ndikim serioz në shëndetin e njerëzve të cilëve u mohohet qasja në kujdes.

“Unë mendoj se ky ligj është absolutisht fashist, i cili privon njerëzit nga kujdesi mjekësor dhe çdo të drejtë themelore njerëzore,” tha Yan Dvorkin, kreu i organizatës Centre T.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përpoq të hedhë poshtë shqetësimet, duke raportuar për media se disa nga çështjet e ngritura nga aktivistët kundër projektligjit ishin “ndoshta të tepërta”.

Por Yulia Alyoshina, politikania e vetme transgjinore e dalur hapur në Rusi, akuzoi qeverinë se po përpiqet të “shtypë këtë grup të vogël, i cili tashmë është i diskriminuar dhe i stigmatizuar”.

Sipas ministrisë së brendshme ruse, 2990 persona kanë ndryshuar ligjërisht gjininë midis 2016 dhe 2022. Vendi ka një popullsi prej 146 milionë banorësh. Ligji shënon një kthesë të dëmshme mbi të drejtat civile në Rusi, pas miratimit të ligjeve propaganduese anti-LGBT gjatë vitit të kaluar.