Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Përkufizimi i martesës nuk përfshinë çiftet e të njëjtit seks në Japoni

QIKA 9.10.2023

Japonia është i vetmi vend i grupit të shteteve G7 që nuk i njeh plotësisht çiftet e të njëjtit seks ose nuk u ofron atyre mbrojtje të qartë ligjore, duke e lënë komunitetin LGBTQ+ të cenuar dhe gati të padukshëm.

Kur Aki dhe Hikari po kërkonin të merrnin me qira një shtëpi së bashku në Tokio, agjentët e patundshmërive u thanë se vendet që ato pëlqenin “ishin për çifte”. Kur ato u përgjigjën se janë çift, pronarët u thanë se shtëpia ishte vetëm për çifte heteroseksuale.

Aki dhe Hikari janë së bashku për shtatë vjet – tani ato janë nëna të një fëmije. Megjithatë, në sytë e ligjit, qeverisë dhe një shoqërie konservatore japoneze, ata nuk janë një çift legjitim. Pavarësisht mbështetjes rreth tyre, ata e kanë mbajtur të fshehtë lidhjen e tyre nga shumë njerëz. Kjo është arsyeja pse ato nuk duan të zbulojnë emrat e tyre të vërtetë. Ato thonë se po tregohen tepër të kujdesshme për djalin e tyre duke pasur parasysh se ende vazhdojnë tabutë rreth çifteve të të njëjtit seks.

Presioni për të legalizuar martesat e të njëjtit seks është rritur pasi disa gjykata deklaruan se ndalimi i tyre ishte jokushtetues. Por kryeministri, Fumio Kishida, e ka kundërshtuar këtë propozim për shkak bindjeve të tij konservatore, raporton BBC.

Edhe pse është krijuar një post i ri qeveritar që fokusohet kryesisht në të drejtat e LGBTQ+, komuniteti është i zhgënjyer sepse ligji, i cili hasi në kundërshtime të ashpra nga ligjvënësit konservatorë, nuk e njeh barazinë martesore.