Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protesta gjithandej në solidaritet me gratë iraniane

QIKA 26.9.2022

Është dita e dhjetë radhazi që iranianët po protestojnë kundër vdekjes së Mahsa Amini dhe detyrimit të veshjes së hixhabit. Këto protesta janë shpërndarë në vende të ndryshme të Iranit dhe gratë po vazhdojnë heqjen e shamive të tyre si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve. Televizioni shtetëror i Iranit ka raportuar se 41 persona janë vrarë gjatë protestave. Në solidaritet me gratë iraniane, qytetet si Athina, Berlini, Brukseli, Stambolli, Madridi, Nju Jorku dhe Parisi janë duke protestuar para ambasadës së Iranit në vendet e tyre.

Policia greke ka raportuar se në Greqi është sulmuar ambasada e Iranit me koktej molotovi, gjithashtu u raportua se nuk ka të lënduar. Ndërsa qindra të tjerë kanë protestuar në sheshin Sintagma në qendër të Athinës kundër shtypjes së protestave në Iran.

Ndërsa në Londër të dielën, demonstrata të dhunshme shpërthyen jashtë ambasadës iraniane. Protestuesit, duke u përpjekur të thyejnë barrierat që mbrojnë ambasadën e Iranit në Mbretërinë e Bashkuar, hodhën gurë ndaj policisë, pesë prej tyre u arrestuan nga policia.

Në Paris u mblodhën rreth 4000 protestues në të dytën ditë për të protestuar kundër vdekjes së Amini. Demonstrata filloi në mënyrë paqësore në sheshin Trocadero në qendër të kryeqytetit. Disa demonstrues brohoritën “Vdekje Republikës Islamike” dhe slogane kundër liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei. Një grua në turmë mbajti gjithashtu një tabelë që lexonte në frëngjisht, “Unë jam Mahsa Amini”. Policia përdori gaz lotsjellës për të ndaluar protestuesit që t’i afrohen Ambasadës së Teheranit.

Paris, Francë
Londër, Angli