Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestë gjithëpopullore: Nuk ka paqe pa sigurinë e grave

QIKA 4.12.2023

Nesër në Prishtinë do të protestohet kundër dhunës në bazë gjinore dhe femicidit. Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, vjen si reagim pas vrasjes së Liridona Ademaj dhe disa rasteve të dhunës në Kosovë.

Thirrja e plotë e protestës:

“Këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë.

Dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve. Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik.

Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapësirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë.

Familja, shoqëria e shteti janë të tri hallkat në të cilat kërkojmë ndryshime rrënjësore dhe zhbërje të patriarkatit që po i dhunon e vret gratë. Ne kthehemi drejt tyre sepse e dijmë se ky sistem vrasës nuk është jashtë nesh. Andaj, këtë të marte, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!

Të martën, bëhemi bashkë të gjitha/ë në shesh, e çdo ditë tjetër luftojmë krahas vajza e grave. Për siguri dhe liri për gratë dhe vajzat në Kosovë!”