Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestë kundër gjuhës denigruese të deputetit Ardian Kastrati

QIKA 5.4.2021

Aktivistë të shoqërisë civile protestuan të hënën në Prishtinë kundër gjuhës seksiste të profesorit të Universitetit të Prishtinës, Ardian Kastrati, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kastrati të dielën kur edhe po zgjidhej presidentja Vjosa Osmani, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit Faik Konica.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.

Sipas aktivistes Liridona Sijarina kjo gjuhë është një ndër shkaktarët kryesorë të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre. “E, kur kjo bëhet nga personat publikë, e aq më shumë personat universitarë, kjo gjë është e patolerueshme dhe duhet të dënohet”, tha Sijarina.

Kuvendi i Kosovës votoi të dielën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, me mandat pesëvjeçar.