Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestë para Kuvendit të Kosovës: “Mos i ndëshkoni grevistet”

QIKA 18.11.2024

Aktiviste e aktivistë u mblodhën përsëri para Kuvendit të Kosovës, për të protestuar në solidaritet me punëtoret teknike të cilat tash janë në muajin e tretë të grevës, e të cilat as të premten e as sot nuk janë lejuar të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit. Ndalesa iu është kumtuar nga zyrtari i Kuvendit, njëherësh menaxheri i kontratës për shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes, Adnan Boshnjaku, nën arsyetimin se ka skaduar kontrata e operatorit ekonomik, rrjedhimisht edhe kontratat e tyre.

Protesta ka pasur për qëllim që të thërras Kuvendin në llogaridhënie dhe mbajtje të përgjegjësisë për punëtoret teknike, të cilat nuk e dijnë nëse do të vazhdojnë të punojnë në institucionin ku kanë punuar tash e dy dekada.

Nën thirrjet “Duam përgjegjësi”, “Mos i zëvendësoni punëtoret”, “Mos i ndëshkoni grevistet”, ”Greva është e ligjshme”, protestuesit kërkuan që grevistet të kthehen në vendin e punës dhe të paguhen me paga të dinjitetshme, e të mos ndëshkohen për shfrytëzimin e të drejtës ligjore për organizim sindikal.

Sipas grevisteve, të premten u është thënë se të hënën do t’u ofrohet një listë e punëtoreve  që përcakton se kush nga to do të vazhdojë të mirëmbajnë hapësirat e Kuvendit.

Në media është raportuar se Kuvendi pasi skadimit të kontratës, më 14.11.2024, përmes aneks kontratës me tender njëburimor ka rikontraktuar kompaninë ‘Schafberger’ më 15.11.2024. Në kontratën e re përcaktohet se paga bruto për punëtoret/ët e angazhuar nuk mund të jetë nën 400 euro.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se greva do të vazhdojë derisa kompania të rikthej në punë gratë greviste dhe të paguaj dëmet, derisa ka paralajmëruar se po hartojnë padi lidhur me shkeljet.