Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qasja feministe ndaj luftimit të kancerit mund të shpëtojë jetën e 800,000 grave në vit

QIKA 2.10.2023

Ekspertët shëndetësorë po bëjnë thirrje për një qasje feministe ndaj luftimit të kancerit për të eliminuar pabarazitë, pasi një hulumtim i botuar në Lancet  zbuloi se 800,000 gra në mbarë botën po vdesin çdo vit, sepse atyre iu mohohet kujdesi optimal.

Kanceri është një nga shkaqet më të shpeshta të vdekjes së grave dhe renditet në tre shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme në pothuajse çdo vend të çdo kontinenti.

Sipas hulumtimit të botuar në Lancet, pabarazia gjinore dhe diskriminimi po zvogëlojnë mundësitë e grave për të shmangur rreziqet e kancerit dhe poashtu po pengojnë aftësinë e tyre për të marrë një diagnozë në kohën e duhur dhe kujdes cilësor. Ky hulumtim i cili studioi gratë dhe kancerin në 185 vende, zbuloi se dinamikat e pushtetit të pabarabartë në të gjithë shoqërinë globalisht kanë ndikime të fuqishme negative në mënyrën se si gratë përjetojnë parandalimin dhe trajtimin e kancerit, raporton The Guardian.

Pabarazitë gjinore po pengojnë gjithashtu avancimin profesional të grave si udhëheqëse në studimin, praktikën dhe politikëbërjen rreth kancerit, gjë që përjetëson mungesën e parandalimit dhe kujdesit ndaj kancerit me në qendër gratë.

Ekipi i hulumtimit tani po bën thirrje për një agjendë të re feministe për luftën kundër kancerit. “Ndikimi i një shoqërie patriarkale në përvojat e grave ndaj kancerit ka mbetur kryesisht i panjohur”, tha Dr Ophira Ginsburg, një këshilltare e lartë për kërkimin klinik në Qendrën për Shëndetin Global të Institutit Kombëtar të Kancerit dhe njëkohësisht pjesë e ekipit.

“Globalisht, shëndeti i grave përqendrohet shpesh në shëndetin riprodhues dhe të nënës, në përputhje me përkufizimet e ngushta antifeministe të vlerës dhe roleve të grave në shoqëri, ndërsa kanceri mbetet tërësisht i nënpërfaqësuar. Ekipi ynë thekson se pabarazitë gjinore ndikojnë ndjeshëm në përvojat e grave me kancerin. Për ta trajtuar këtë, ne kemi nevojë që kanceri të shihet si një çështje prioritare në shëndetin e grave dhe të bëjmë thirrje për futjen e menjëhershme të një qasjeje feministe ndaj luftimit të tij”, shton ajo.