Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qeveria skoceze shpalos planin e parë shëndetësor për gratë

QIKA 6.9.2021

Këtë të premte u shpalos plani i parë mbi shëndetin e grave në Skoci. Ky dokument prej 68 faqesh përfshin çështje si reduktimi i kohëzgjatjes për diagnostikimin e endometirozës nga mbi 8 vite në më pak se 12 muaj, ofrimi i planeve për kujdesin pas abortit të parë, zgjerimi i aksesit në shërbimet e menopauzës, krijimi i një fondi kërkimor që siguron njohuritë shkencore dhe mjekësore, si dhe informimi dhe ndërgjegjësimi publik mbi simptomat dhe rreziqet e sëmundjeve të zemrës për gratë.

Pas paraqitjes së planit shëndetësor, Maree Todd, ministre e shëndetësisë së grave, pohoi se kishte prova të mjaftueshme që gratë kanë nevojë për më shumë informacion dhe mbështetje nga institucionet mjekësore. Sipas saj rezultatet e shëndetit për gratë janë më të varfra krahasuar me ato të burrave në fusha siç është shëndeti i zemrës.

Endometrioza shkakton dhimbje kronike të legenit, seks të dhimbshëm, probleme të zorrëve dhe fshikëzës si dhe menstruacione të dhimbshme. Kjo prek rreth 1.5 milion gra në tërë Mbretërinë e Bashkuar, raporton The Guardian.

Sipas Todd, pabarazitë sistemike me të cilat përballen gratë sa i përket qasjes në shërbimet shëndetësore janë mjaft të dukshme. Ndërsa, James Jopling, drejtor i Fondacionit Britanik të Zemrës në Skoci, tha se sëmundja koronare e zemrës ka shkaktuar vdekjen e grave për tre herë më shumë krahasuar me kancerin e gjirit. Andaj ky plan shëndetësor u mirëprit për arsye të përmirësimit të gjendjes sa i përket ndërgjegjësimit të grave mbi simptomat e sulmeve dhe sëmundjeve të zemrës.