Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raporti i OKB-së tregon se shëndeti mendor i grave afgane po përkeqësohet

QIKA 27.9.2023

Një raport i përbashkët nga tri agjenci të OKB-së thotë se shëndeti mendor i grave afgane, të cilat kanë vuajtur nga masat e ashpra të vendosura nga talibanët, është përkeqësuar në të gjithë vendin.

Gati 70% e grave raportuan se ndjenjat e ankthit, izolimit dhe depresionit ishin përkeqësuar ndjeshëm mes prillit dhe qershorit, një rritje prej 57% sa kishin raportuar në tremujorin e mëparshëm sipas raportit të publikuar nga U.N Women.

Në hulumtim, morën pjesë 592 gra afgane nga 22 prej 34 provincave të Afganistanit, të cilat treguan për vuajtjet nga problemet psikologjike, duke përfshirë depresionin, pagjumësinë, humbjen e shpresës dhe motivimit, ankthin, frikën, agresionin dhe sjelljen gjithnjë e më izolacioniste dhe mendime për vetëvrasje, raporton US News.

Talibanët pas marrjes së pushtetit, dy vjet më parë, kanë vendosur kufizime të ashpra për të drejtat dhe lirinë e grave, që përfshijnë arsimin dhe punën e tyre. Ata i kanë larguar gratë nga shumica e fushave të jetës publike dhe punës në organizata lokale dhe joqeveritare, dhe i kanë ndaluar vajzat të shkojnë në shkollë përtej klasës së gjashtë.