Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raportimet e mediave për luftën në Ukrainë po tregojnë se rolet gjinore janë duke ndryshuar

QIKA 7.4.2022

Mbulimi mediatik i luftës së Ukrainës me Rusinë ka ilustruar të gjithë ngjarjen me imazh të burrave, duke marrë armët dhe duke luftuar për vendin e tyre. Njëkohësisht duke paraqitur udhëheqësit politikë në ngjyrime të ndryshme të maskulinitetit.

Ndërkohë, nga një studio televizive ad hoc jashtë Kievit, prezantuesja ukrainase e lajmeve Marichka Padalko tërhoqi vëmendjen për nuancat e roleve gjinore gjatë kohës së luftës. E intervistuar me video online në Shtëpinë e Shtypit të Oslos, Padalko shpalosi një diskutim që kishte së fundmi me burrin e saj se kush duhet të kujdeset për tre fëmijët e tyre.

“Unë duhet ta mbroj vendin”, i tha bashkëshorti. Gjatë një karriere 20-vjeçare si reportere dhe prezantuese, Padalko ka krijuar besim të fortë ndaj audiencës. Ajo ndjeu se nuk mund ta braktiste popullin e saj në një moment vendimtar të historisë.

“Unë nuk e kam luksin të shoh fëmijët e mi, por e di që ata janë të sigurt”, tha Padalko përpara se të deklaronte me guxim: “Ne do të vazhdojmë të transmetojmë deri në minutën e fundit të luftës”.

Në njërën anë të stories, gratë portretizohen si të udhëhequra nga pacifizmi dhe kujdesi për të tjerët – tipare tipike feminine. Në pamje të parë, raportet nga lufta në Ukrainë duket se përforcojnë këto stereotipe gjinore: fluksi i pafund i grave dhe fëmijëve që largohen nga vendi i tyre, ndërsa burrat midis moshës 18 dhe 60 vjeç qëndrojnë aty për të luftuar. Ndërsa, me një inspektim më të afërt, pjesa më e madhe e mbulimit mediatik nga lufta në Ukrainë tregon ndryshimin e roleve gjinore në luftë.

Një podcast i fundit i New York Times trajton në mënyrë të shkëlqyer pasiguritë dhe frikën e burrave ukrainas. Dëgjuesit njoftohen me Eugjenin, i cili është gati të luftojë, por nuk mund të pajtohet me faktin se armiku, ushtarët rusë, janë fqinjët e tij. Një tjetër i ri përpiqet të kalojë kufirin për në Poloni, por pa sukses. Ai shpreh frikën e tij të thellë për të mbajtur një armë dhe për të kryer veprime të dhunshme dhe e sheh tmerrësisht diskriminuese që burrat nuk lejohen të largohen.

Mbulimi mediatik në Ukrainë na ndihmon të kuptojmë se jo domosdoshmërisht ka një ndryshim midis arratisjes për të shpëtuar fëmijët ose luftimit të armatosur kundër armikut. Të gjitha janë aksione luftarake.

Përmbajtja mediatike formon dhe ushqen sterotipet gjinore dhe anasjelltas. Këto tregime personale kontribuojnë në narrativen e përgjithshme të luftës dhe ushqejnë një pasqyrë më të gjerë të pushtetit dhe këmbimit të informacionit.