Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Referendumi në San Marino: Beteja e madhe për të drejtat e abortit

QIKA 22.9.2021

Në San Marino, vend i cili historikisht është konsideruar katolik është hapur debati mbi abortin i cili konsiderohet totalisht i jashtëligjshëm dhe dënohet të paktën me 3 vjet burgim.

Aktivistët po përpiqen që ta hapin këtë temë në publik dhe të bashkojnë audiencën për të ndërhyrë në politikat e abortit. “Aborti mund të mbetet ilegal, por gjithsesi është duke ndodhur. Abortet ndodhin në San Marino dhe si të tilla janë gjithmonë të pasigurta!” deklaron aktivistja Gloria Giardi.

Në Republikën e San Marinos, e vendosur në malet Apenine brenda Italisë, fushata është duke u zhvilluar para se të ndodhë referendumi i cili pritet të mbahet më 26 shtator. Ky referendum do të përfshij opinionin e 33,000 qytetarëve mbi legalizimin e abortit.

Giardi është anëtare e Unionit të Grave Samarineze (UDS), një grup aktivistesh feministe që janë përpjekur prej vitesh të propozojnë legjislacion mbi abortin. Mirëpo me gjithë përpjekjet që kanë bërë, qeveritë konservatore që ishin në pushtet hedhën poshtë gjithmonë kërkesat e tyre.

Ashtu si në Andorra, Maltë dhe Vatikan, gratë në San Marino përballen me burg nëse përpiqen të abortojnë ose ndihmojnë dikë tjetër të sigurojë një abort madje edhe në rastet e përdhunimit, incestit, anomalive të rënda të fetusit ose kur jeta e nënës është në rrezik. Shumë gra samarineze që duan të ndërpresin një shtatzëni udhëtojnë në Itali, ku aborti u legalizua në 1978.

Por situata nuk është gjithmonë e lehtë përtej kufirit. Mjekët italianë kanë të drejtë të refuzojnë kryerjen e procedurës së abortit, me ç’rast rreth 71% e tyre janë regjistruar si të tillë. Kjo situatë pasqyron vështirësitë e grave për të pasur qasje në klinikat e abortit.