Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

RrGK ka filluar fushatën kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës

QIKA 18.10.2021

Sot ka filluar fushata online kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Kjo fushatë është organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGj) dhe me Avokatin e Popullit.

Përmes të gjeturave nga hulumtimi i RrGK-së “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”, fushata ka për qëllim informimin e qytetarëve rreth formave të ngacmimit seksual në vendin e punës e ligjeve që dënojnë atë.

Sipas të gjeturave të këtij hulumtimi, shumica e të anketuarve nuk kishin njohuri nëse ngacmimi seksual në hapësira të punës dënohet me ligj si dhe nuk dinin se cilat janë format e ngacmimit seksual. 

Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënon me burgim deri në tri (3) vite çdo person i cili ngacmon seksualisht personin tjetër apo përdor cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues. 

Sipas njoftimit të RrGK-së, përveç Kosovës, fushata e njejtë do të zhvillohet edhe në pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Mali të Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi, si dhe pritet të zgjasë 11 ditë (18-30 tetor). 

RrGK ka inkurajuar të gjithë personat e ngacmuar seksualisht në vendet e tyre të punës që të raportojnë ngacmimin seksual në Inspektoriatin e Punës (0800 7 75 77) dhe në Policinë e Kosovës (0800 1999). 

Fushata do realizohet si pjesë e nismës “Luftimi i diskriminimit, përmirësimi i të drejtave të grave në punë” dhe mbështetet nga Komisioni Evropian në bashkë-financim me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).