Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rritet numri i grave të burgosura

QIKA 12.3.2021

Të dhënat e reja tregojnë se është rritur numri i grave në burgje përkundër faktit se shumica e tyre janë të dënuara për krime të lehta e te padhunshme

Globalisht, numri i grave të burgosura është rritur me më shumë se 100,000 të burgosura në dekadën e kaluar. Të dhënat e Penal Reform International me rast të 10 vjetorit të ‘Rregullave të Bankokut’ tregojnë se tani ka rreth 741,000 gra dhe vajza të burgosura. Sipas drejtores ekzekutive të kësaj organizate, Olivia Rope, thuhet që numri i grave të burgosura po shënon një rritje alarmante edhe pse ato janë dënuar për krime të shkallës së ulët. Sipas saj, shumë gra janë të privuara nga shërbimet thelbësore mjekësore dhe rehabilituese, si dhe janë preh e dhunës fizike e seksuale në burg.

Më shumë se 80 organizata kanë nënshkruar një peticion drejtuar qeverisë për rishikimin e politikave për zvogëlimin e numrit të grave në burgje. Megjithatë, edhe pse rregullat e Bangkokut po implementohen, duket që në dekadën e fundit përveç Evropës, në çdo rajon ka pasë rritje të numrave.

Pandemia ka cenuar edhe më tej të drejtat e grave në burg, duke i kufizuar ato sa i përket vizitave familjare apo sigurimit të produkteve elementare higjienike si dhe ushqimit adekuat për gratë shtatzëna. Gratë përbëjnë 2% deri 9% të popullsisë kombëtare në burgje, ku burgosen si rezultat i diskriminimit apo krimeve të kryera si pasojë e varfërisë. Gjithashtu, ato preken në mënyrë disproporcionale nga politikat ndëshkuese të drogës, me 35% krahasuar me 19% të burrave.

Gaby nga Meksika, u arrestua për trafikim droge në 2012, me ç’rast ajo kishte filluar të transportonte marijuanë në Mexico City si pasojë e varfërisë. Ajo ishte viktimë e dhunës seksuale, që rezultoi në lindjen e fshonjës së saj të parë vetëm kur ajo ishte 15 vjeçare. Pas një marrëdhënie abuzive, Gaby lindi fëmijën e dytë i cili u diagnostifikua me paralizë cerebrale. Asaj iu mohua kërkesa për të shoqëruar fëmijën e saj në seanca mjekësore nga gjyqtari i saj.

Rosma Karlina, ish e burgosur nga Indonezia tregon se përdorte drogë në burg, pasi që ky institucion nuk e pengonte një gjë të tillë. Ajo u arrestua për posedim të heroinës në 2008, me ç’rast u dënua me tre vjet burgim. ‘Shumë gra të burgosura u shfrytëzuan nga të burgosurit burra ose rojet e burgut. Njerëzit po sëmureshin dhe po vdisnin si pasojë e shërbimeve të dobëta mjekësore’ tha Karlina. Që nga lirimi i saj, ajo ka ndihmuar më shumë se 40 gra të cilat vuajnë prej varësisë nga droga.

Sipas Anand Grover, anëtar i Komisionit Global për politikën e drogës dhe ish-raportues i Kombeve të Bashkuara për të drejtën në shëndet, thotë se një pjesë e madhe e grave në burgje abuzohen dhe dhunohen. Përveç kësaj, atyre u injorohen nevojat specifike duke theksuar pabarazinë gjinore edhe brenda burgjeve.