Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rusia kufizon qasjen e grave në abort nën arsyetimin e ndryshimeve demografike

QIKA 20.12.2023

Rusia e ka shpallur veten prej kohësh si një vend të cilin presidenti Vladimir Putin shpesh e quan vend të vlerave tradicionale familjare. Ditë më parë, Asambleja Federale goditi komunitetin LGBTQ duke miratuar legjislacionin që ndalon operacionet që konfirmojnë gjininë. Tani konservatorët socialë kanë një synim të ri, të drejtat riprodhuese.

Ndërprerja e shtatzënisë është një procedurë ligjore dhe gjerësisht e qasshme në Rusi, por javët dhe muajt e fundit, një varg ligjesh të reja pritet të kufizojnë qasjen në abortit. Kjo vjen si pasojë e frikës për rënie të mëtejshme të popullsisë dhe shtytjes drejt konservatorizmit.

Në gusht dhe nëntor, dy rajone ruse, Mordovia dhe Tver, miratuan ligje që ndëshkojnë këdo që “shtynë” gratë drejt abortit. Në tetor, ligjvënësit miratuan legjislacionin që kufizon qasjen në barnat e abortit, masa që mund të ndikojnë në shitjen e disa kontraceptivëve.

Ndërkohë, sipas gazetës së pavarur të lajmeve Meduza, të gjitha klinikat private shëndetësore në Krimenë e pushtuar nga Rusia njoftuan se do të ndalojnë ofrimin e procedurave të abortit,.

Konstantin Skorupsky, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë së Krimesë, u citua nga Meduza të thoshte se krerëve të klinikave u kërkohej të ndalonin ofrimin e shërbimeve të abortit si një mënyrë për të përmirësuar situatën demografike në gadishullin e pushtuar.

Që nga viti 2012, lista e situatave kur aborti është i lejueshëm është zvogëluar gradualisht dhe tani përfshin vetëm rastet e përdhunimit.

“Përpjekjet për të ndaluar abortin janë duke ndodhur në pesë vitet e fundit, por askush nuk i kushtoi shumë vëmendje. Zërat e grave nuk dëgjohen përgjithësisht në një shtet patriarkal. Problemet e grave nuk konsiderohen probleme të rëndësishme”, tha Zalina Marshenkulova, një aktiviste e njohur feministe ruse.

Ndërkohë, Kisha Ortodokse Ruse po kërkon gjithashtu propozime të reja për të shkurtuar afatin kohor për abort ligjor deri në tetë javë, ndërsa në rastet e përdhunimeve në 12 javë.