Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Seksistët janë prindër më pak të përgjegjshëm

QIKA 11.1.2024

Botëkuptimet tradicionale gjinore sipas së cilave burrat janë më të fortë, më të pavarur e më të aftë për të mbrojtur dhe siguruar familjet, ndërsa gratë janë kujdestaret e familjes të cilat duhet t’u shërbejnë partnerëve të tyre dhe të edukojnë fëmijët, përveçse të gabuara mund të jenë edhe të dëmshme në ushtrimin e rolit prindëror.

Hulumtimi i fundit i publikuar nga Social Psychological and Personality Science dëshmon se nënat dhe baballarët me qëndrime seksiste të rrënjosura në botëkuptimet tradicionale gjenerojnë pabarazi gjinore dhe diskriminim.

Baballarët që shfaqën shkallë më të lartë të seksizmit u shfaqën si prindër më pak të përgjegjshëm si ndaj vajzave ashtu edhe ndaj djemve. Ata shprehin më pak ngrohtësi, ndjeshmëri ndaj nevojave të fëmijës së tyre, angazhohen më pak me fëmijët si dhe ishin shumë më kontrollues. Gjetje të ngjashme prezanton hulumtimi edhe lidhur me nënat që kanë pikëpamje seksiste.

Prindërimi më pak i përgjegjshëm duke i parë dhe trajtuar ndryshe vajzat dhe djemtë, i paraprin problemeve lidhur me sjelljen, vështirësive emocionale dhe shëndetit e mirëqenies më të ulët te fëmijët, raporton The Conversation.