Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Senatorët po bëjnë presion për të ri-autorizuar Aktin e Dhunës ndaj Grave

QIKA 2.3.2022

Versioni i vitit 2022 të Aktit të Dhunës ndaj Grave do të përfshijë dispozita të reja që zgjerojnë juridiksionin fisnor mbi dhunën gjinore.

Sipas një analize të Departamentit të Drejtësisë, shumica e rasteve të sulmeve seksuale në Shtetet e Bashkuara nuk raportohen. Ekspertët e të drejtave të grave pohojnë se çështja përkeqësohet edhe më tepër për komunitetet indigjene si pasojë e mungesës së të dhënave mbi dhunën me bazë gjinore, klasifikimeve të gabuara të vrasjeve si vetëvrasje ose aksidente etj.

Sipas raportit të vitit 2016 të realizuar nga Instituti Kombëtar i Drejtësisë, më shumë se 84% e grave indigjene kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre. Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbuloi se gratë indigjene vriten me një shkallë 10 herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Andaj, këtë muaj është nxitur ri-autorizimi i Aktit të Dhunës ndaj Grave i vitit 1994, me ç’rast do të përfshihen dispozita që zgjerojnë juridiksionin fisnor mbi dhunën gjinore, raporton The Lily.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të ri-autorizuar legjislacionin historik në mars të vitit të kaluar, i cili fillimisht ishte shkruar nga Senati i atëhershëm. Megjithatë, shumë studiues dhe aktivistë ligjorë pohojnë se Akti i Dhunës ndaj Grave është një zgjidhje e thjeshtë për një problem më të madh themelor.

Hulumtimet tregojnë se shumica dërrmuese e grave indigjene kanë përjetuar dhunë seksuale nga personat që nuk kanë qenë indigjenë. Sipas ekspertëve ligjorë, edhe pse qeveria federale ka juridiksion penal mbi krimet e kryera nga personat që nuk janë indigjenë, nuk u jepet përparësi krimeve të dhunës seksuale. Sipas Departamentit të Drejtësisë, midis 2005 dhe 2009, avokatët amerikanë refuzuan të ndjekin penalisht gjysmën e krimeve që kanë ndodhur si dhe 67% të krimeve që lidhen me abuzimin seksual.