Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shumë nëna në Nepal po humbin jetën si pasojë e lindjeve në shtëpi

QIKA 19.7.2021

Në fillim të këtij muaji, 21-vjeçarja Lakhu BK vendosi të lindë fëmijën e saj në shtëpi, në fshatin e saj që gjendet në perëndim të Nepalit. Ajo kishte frikë se do të infektohej me Covid-19 nëse do të shkonte në një qendër shëndetësore. Lakhu BK humbi jetën gjatë procesit të lindjes.

“Mendova se nusja ime do të vdiste nga virusi, por nuk e mendoja se ajo do të vdiste nga pamundësia për të lindur”, tha vjehrra e saj, Pamfi BK. Në kohën kur familja kërkoi ndihmë mjekësore, ishte tepër vonë. “Foshnja e saj tashmë kishte vdekur. dhe unë nuk mund ta shpëtoja”, tha Urmila Acharya, një infermiere ndihmëse në qendrën shëndetësore Dhaulagoha.

Historia tragjike e Lakhu po përsëritet në të gjithë Nepalin ndërsa vendi lufton me një valë të dytë të koronavirusit. Që nga prilli, rastet e Covid-19 janë rritur ndjeshëm, ku nga 13 korriku, Nepali kishte regjistruar 657,139 raste dhe 9,400 vdekje.

Shërbimet shëndetësore të nënave të Nepalit ishin të dobëta edhe para pandemisë. Vendi nuk ka mami, kështu që gratë lindin me ndihmën e infermiereve ndihmëse si Urmila.

Që nga fillimi i pandemisë, vdekjet e nënave janë rritur shumë. Sipas departamentit të shëndetësisë, midis marsit 2020 dhe qershorit 2021, 258 gra vdiqën si rezultat i shtatzënisë ose gjatë lindjes së fëmijës. Punonjësit shëndetësorë kanë frikë se vala e dytë e infeksioneve mund të sjellin numra të vdekjeve të nënave që nuk janë parë kurrë më parë në këtë shekull.