Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Spanja thërret mbledhjen e dytë urgjente të këtij viti pas vrasjeve të gjashtë grave

QIKA 26.1.2023

Qeveria spanjolle ka thirrur një takim të dytë urgjent me ekspertë të dhunës në familje në më pak se një muaj. Kjo erdhi si pasojë e vrasjes së gjashtë grave dhe një vajze të re që nga fillimi i janarit. Komiteti i krizave u mblodh për herë të fundit pas vrasjes së 11 grave në dhjetor.

Të hënën, një grua 45-vjeçare dhe vajza e saj tetë-vjeçare u vranë në provincën veriperëndimore spanjolle të Valladolid. Vrasjet e tyre erdhën pesë ditë pasi një grua 38-vjeçare u vra në provincën katalanase të Lleida.

Vdekjet e fundit e çojnë numrin e grave të vrarë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre në 1,188 që nga viti 2003, vit ky kur qeveria filloi regjistrimin e rasteve të femicidit. Gjatë të njëjtës periudhë, 49 fëmijë janë vrarë në sulme të dhunës në familje. Në vitin 2022, 49 gra u vranë nga partneri ose ish-partneri i tyre.

“Ministria e barazisë po thërret një mbledhje të komitetit të krizave në orën 10 të mëngjesit të kësaj të premteje për të analizuar çdo rast në detaje, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur, për të përmirësuar koordinimin”, tha Ministrja e Barazisë në Spanjë, Irene Montero. Në takim do të marrin pjesë zyrtarë nga ministria e barazisë, ministria e brendshme dhe e drejtësisë, si dhe përfaqësues nga rajonet vetëqeverisëse të Spanjës.

Përballë një rritje dramatike të rasteve të femicidit, qeveria e Spanjës e udhëhequr nga socialistët po studion propozime që do t’i lejonin autoritetet të informojnë gratë që janë viktima të dhunës në familje për dënimet e mëparshme të partnerëve të tyre.

Muajin e kaluar, qeveria u bëri thirrje gjykatave dhe prokurorëve që të rrisin përdorimin e hallkave elektronike për të ndihmuar mbrojtjen e grave, ish-partnerët e të cilave ishin subjekt i urdhrave ndalues.

“Ne mendojmë se është e rëndësishme të promovohet përdorimi i mjeteve si hallkat që paralajmërojnë gratë për praninë e agresorëve. Që nga viti 2009, kur pajisje të tilla hynë në përdorim, asnjë grua që barte hallkë nuk është vrarë”, tha ministrja e drejtësisë, Pilar Llop.