Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Studimi i ri zbulon se shkalla e abortit në nivel global është kthyer prapa

QIKA 29.3.2022

Shkalla globale e abortit është kthyer në nivelet e viteve të 90-ta. Sipas raportit të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Riprodhimit Njerëzor i OKB-së dhe Instituti Guttmacher, shtatzënitë e padëshiruara janë në nivelin më të ulët në 30 vjet, ndërsa abortet janë rritur në nivel global. Ky studim është i pari i këtij lloji i cili mat shkallën e shtatzënisë dhe abortit të padëshiruar në nivel vendi.

Studimi u publikua në revistën BMJ Global Health, dhe analizoi të dhënat e disponueshme mbi shkallën e abortit dhe shtatzënisë së padëshiruar për 150 vende nga viti 2015 deri në 2019. Gjatë asaj periudhe numri i shtatzënive të padëshiruara ishte afërsisht 121 milionë në vit. Kjo paraqet një rënie të konsiderueshme globale që nga fillimi i viteve 1990 – nga 79 në 64 gra për 1000 gra, raporton US News.

Pas një rënieje gjatë mesit të viteve 2000, shkalla e abortit është kthyer në nivelet e fillimit të viteve 1990, thuhet në raport. Nga 121 milionë shtatzënitë e padëshiruara çdo vit nga 2015 deri në 2019, 61% – ose 73 milionë prej tyre u ndërprenë. Jonathan Bearak, hulumtues në Insitutin Guttmacher, pohoi se nëse marrim parasysh vendet ku aborti është i ligjshëm, në fillim të viteve ’90, 60% e shtatzënive të padëshiruara përfunduan me abort, ndërsa tani është 70%. Kurse në vendet ku aborti është i kufizuar, ai ishte 36% në fillim të viteve ’90 dhe tani është 50%.

Sipas Bearak, përqindja e shtatzënive të padëshiruara që përfundojnë me abort është rritur globalisht në përgjithësi, por është rritur më së shumti në mesin e vendeve që kufizojnë ose ndalojnë plotësisht abortin. Arsyet për rritjen e shkallës së aborteve në nivel global janë të shumanshme dhe një gjë që ka ndikuar është përdorimi në rritje dhe disponueshmëria e kimikateve për të ndërprerë shtatzënitë. Megjithatë, edhe pse shkalla globale e abortit është rritur, në vende si Amerika Latine dhe Karaibet ajo ka rënë për 8% në 30 vitet e fundit, ndërsa Amerika Qendrore ka shënuar një rritje prej 10%.