Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Synime” nxjerrë në pah veprat artistike të grave shqiptare

QIKA 9.2.2021

Më 1 shkurt, në Galerinë Kombëtare të Artit në Shqipëri u hap ekspozita “Synime” e cila ka për qëllim shfaqjen e pozicioneve artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Kjo ekspozitë ofron mundësi për diskutim të veprave të prodhuara nga gratë në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot si dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin dhe shprehjet artistike të tyre. Përmes punimeve artistet tregojnë përkushtim për të rinegociuar konstruktet gjinore shoqërore dhe paraqesin mundësi të shumta për të ardhmet e grave në art.

Kuratoret e kësaj ekspozite – Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi thonë se shumë shpesh, mbështetja e vetme për gratë artiste ka qenë synimi personal për të mbetur në sferën e artit. Andaj edhe vetë titulli i ekspozitës e reflekton këtë.

Në këtë ekspozitë shihen punë nga artistet e para që u morën profesionalisht me pikturë e deri te artistet bashkëkohore të gjeneratave të reja që medium artistik e kanë videon, fotografinë apo instalacionin.

“Synime” ka si qëllim të jap një kontribut në diskutimet feministe duke problematizuar rendin patriarkal dhe shtjellohet rreth 4 koncepteve kryesore: Arkivat e trupit; Gramatika e kujtesës; Anakronizma të vullnetshëm; dhe Përmbledhje poetike.

Në Tiranë ekspozita do qëndrojë e hapur deri më 1 Prill. Meqenëse është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri, ekspozita do të hapet edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë dhe do të qëndrojë e hapur nga data 30 prill deri më 30 qershor, 2021.