Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Të paktën katër gra dhe vajza të zeza u vranë brenda një dite në SHBA vitin e kaluar

QIKA 19.10.2021

Sipas statistikave të publikuara nga FBI javën e kaluar, të paktën katër gra të zeza u vranë në ditë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020. Kjo është një rritje e mprehtë në krahasim me vitin paraprak.

Për familjet e viktimave dhe aktivistët lokal, publikimi i të dhënave është vetëm një rikujtim se dhuna kundër grave dhe vajzave të zeza shpesh shpërfillet dhe duhet të bëhet një prioritet publik. “Ajo që është e trishtueshme është se shumë raste nuk merren shumë seriozisht”, tha Jennifer Redmond, vajza e së cilës, Sarayah Jade 19-vjeçare, u vra shtatorin e kaluar.

Sarayah Jade ishte ulur në një apartament në Sacramento, California me miqtë e saj kur dikush filloi të gjuante me armë nëpër dritare dhe mure. Ajo u përpoq t’i shmangej plumbave, por u godit dhe më vonë vdiq në spital.

Që nga vdekja e saj, prindërit dhe vëllezërit e Sarayah kanë luftuar për të mbajtur fokusin në humbjen e saj. Ata kanë mbajtur marshime, kanë shpërndarë fletushka dhe i kanë bërë thirrje policisë që të vazhdojë të hetojë rastin, raporton The Guardian.

Rritja e vrasjeve të grave të zeza vjen pasi shkalla e përgjithshme e vrasjeve në SHBA u rrit gati 30% gjatë pandemisë. Numri i njerëzve të vrarë u rrit ndjeshëm midis grupeve racore. Shkalla në rritje e vrasjeve ka prekur gratë zezake në të gjithë vendin. Baltimore, Maryland, regjistroi numrin më të lartë të grave të vrara në histori të shtetit në vitin 2020, me të paktën 48 gra të vrara gjatë gjithë vitit, shumë prej tyre gra të zeza.

“Ka shumë faktorë që i bëjnë gratë zezake më të prekshme ndaj dhunës, përfshirë qasjen në armë zjarri dhe pengesa në qasjen e shërbimeve parandaluese dhe kujdesit shëndetësor mendor, faktorë që ndoshta u përkeqësuan gjatë pandemisë”, tha Kimberlé Crenshaw, një studiuese juridike feministe zezake.

Ende nuk ka ndonjë arrestim të bërë në rastin e Sarayah dhe nëna e saj thotë se mungesa e përgjegjësisë për vdekjen e vajzës së saj ka pasoja përtej këtij rasti. “Ata nuk do mund ta injorojnë këtë. Nuk është e drejtë për vajzën time dhe gratë dhe vajzat e tjera të zeza që po vriten nga bashkëmoshatarët e tyre. Nuk është e drejtë që të gjithë këta njerëz të humbin jetën”, tha Jennifer.