Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Tirana dhe Shkupi solidarizohen me protestat e grave në Prishtinë

QIKA 1.9.2022

Të mërkurën, në Prishtinë u organizua një protestë masive në kundërshtim të dhunës sistematike ndaj vajzave dhe grave. Në solidarizim me ndodhinë në Prishtinë, ku 5 burra dhunuan një vajzë 11 vjeçare, protesta u organizuan edhe në Tiranë e Shkup.

Në këto dy qytete është protestuar edhe kundër rasteve tjera të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Nëpër protesta janë dëgjuar thirrjet “Mos më prek”, “Ndëshko përdhunuesit”, “Jo do të thotë Jo”, “Zero tolerancë ndaj dhunës”, “Pedofilët në burg të përjetshëm”, “Vajza nuk është pronë e askujt”, “Unë bërtitja jo”, raporton KALLXO.COM.

Protestuesit gjithashtu kërkuan shërbime të specializuara për gjitha vajzat dhe gratë viktima të dhunës. “Dhuna kundër një vajze, dhuna kundër një gruaje, është dhunë kundër të gjitha vajzave dhe grave, thonë protestuesit. Apelojmë parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen, duke vetëdijesuar popullatën me reagime të formave zyrtare dhe jozyrtare”, ka thënë aktivistja Agnesa Çavolli në Shkup.

Në këto protesta u kërkua mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).