Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ushtaret ukrainase dënojnë seksizmin

QIKA 14.8.2023

Barazia ekziston vetëm në letër – shprehet Haran, ushtare e forcave të armatosura të Ukrainës. Nevojat e grave nuk shprehen aspak në praktikë, madje diskriminimi është shumë i madh përbrenda njësiteve ushtarake për sa i përket uniformave, higjienës, zhvillimit në karrierë apo shëndetësisë. Nevojat e ushtareve nuk po trajtohen si prioritet, madje konsiderohen si provokim nga burrat që po luftojnë përkrah tyre.

Janë rreth 60,000 gra që shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës, nga të cilat 5000 janë në vijën e frontit. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë përbën pjesën më të rëndësishme në mbrojtjen e ushtareve/ushtarëve që po luftojnë, mirëpo bazuar në intervistat e zhvilluara me gratë, është shpërfaqur një realitet që sugjeron se mungesa e respektit, kushteve dhe pikëpamjet seksiste ndaj ushtareve, janë dusa nga dështimet e shumta që po pengojnë efektivitetin e forcave luftarake.

“Unë do të thoja se duhet të luftojmë dy armiq për njëherë,” shprehet Haran. “Njëra është Rusia, padyshim dhe tjetra janë stereotipet dhe stigma me të cilat përballesh çdo ditë. Dhe i vetmi vend ku mund të them se nuk e pashë atë stigmë ishte terreni aktual (në vijën e frontit) sepse të gjithë ishin shumë të zënë duke luftuar për vendin e tyre.”

Kur bëhet fjalë për uniformat, gratë duhet të mjaftohen me veshje të dizajnuara për burra, të blejnë të tyren ose të kërkojnë donacione. Lista e mangësive vazhdon: nuk ka kontracepsion në vijën e parë dhe as pajisje për diversionin e urinës, që u mundëson grave në llogore të urinojnë në këmbë dhe raportimet për ngacmime seksuale nuk merren seriozisht.

Mjekët në terren nuk janë të trajnuar në gjinekologji dhe kur kontrata e një ushtareje përfundon, ato duhet t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor për t’u rikthyer në ushtri, në mënyrë që të hiqen dyshimet e shtatzënisë që ato mos të marrin pushim me pagesë.

Ushtaret shprehin që për të ndryshuar ky realitet, duhet të ndryshoj mentaliteti. Haran, e cila së fundmi ishte kthyer nga vija e frontit me sukses, tregoi se ankesat e saj për zyrtarët që kishin bërë komente seksiste si “vendi yt është në kuzhinë”, nuk kishin marrë asnjë përmasë ndëshkuese. Të njëjtën përvojë po shprehin edhe ushtaret tjera.