Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Vajzat po udhëheqin protestat kundër ndryshimeve klimatike

QIKA 16.11.2021

Udhëheqësit botërorë brenda Samitit Global Klimatik #COP26 janë kryesisht burra mbi 60 vjeç, ndërsa protestuesit që dalin në rrugë janë kryesisht gra të reja. Të dyja palët kanë pikëpamje shumë të ndryshme se si duhet të trajtohen ndryshimet klimatike.


Java e parë e samitit përfundoi me mijëra protestues në rrugët e Glasgow. Marshimi u drejtua nga aktivistë të rinj, disa prej të cilëve nuk kanë përmbushur ende moshën për të votuar. Vajzat dhe gratë e reja në mbarë botën kanë argumentuar se ato janë më të cenueshme nga thatësira, mungesa e ujit dhe fatkeqësitë e tjera klimatike. Shume prej tyre kanë të ardhura të ulëta dhe njëkohësisht kanë fëmijë që duhet t’i ushqejnë.


Në hapjen e Samitit COP26 në Glasgow, presidenti Amerikan Joe Biden e konsideroi krizën klimatike si kërcënim ekzistencial për njerëzit. Sipas Climate Action Tracker, bota duhet të zvogëlojë shkallën e emetimeve të gazeve serrë me pothuajse 27 miliardë tonë metrik në vit në mënyrë që të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në vitin 2030. Një gjë e tillë do të parandalojë përkeqësimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe do të ruaj botën nga katastrofat klimatike, raporton CNN.


Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, pohoi se COP26 është një dështim. Sipas saj nuk mund të zgjidhim krizat klimatike me të njëjtat metoda që na kanë futur në të në radhë të parë. Thunberg tha se duhet të bëhen shkurtime të menjëhershme vjetore të emetimeve në mënyrë drastike.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.