Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vajzave afgane u ndalohet edhe studimi me bursa jashtë vendit

QIKA 21.9.2023

“Pasi talebanët ia ndaluan grave të shkonin në universitet, shpresa ime e vetme ishte të merrja një bursë që do të më ndihmonte të studioja jashtë vendit”, thotë studentja 20-vjeçare afgane Natkai (emri është ndryshuar për sigurinë e saj).

Natkai thotë se ajo vazhdoi të mësonte edhe pse kishte pak mundësi që ajo të vazhdonte studimet në universitet brenda vendit të saj. Pas një kohe, ajo fitoi një bursë për të studiuar në Universitetin e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas hulumtimit të BBC, 100 gra afgane kanë qenë të suksesshme në marrjen e kësaj burse. Disa studente afgane që veçse jetonin jashtë vendit tashmë kanë udhëtuar në Dubai. Ngjashëm, të mërkurën e 23 gushtit, Natkai i tha lamtumirë familjes së saj dhe u nis për në aeroport. Por shpresat e saj u shuan shpejt.

“Kur zyrtarët talebanë panë biletat tona dhe vizat studentore, ata thanë se vajzave nuk u lejohet të largohen nga Afganistani me viza studentore”, tregon ajo. Natkai është një nga rreth 60 vajzave që u kthyen nga aeroporti.

Talebanët kanë ndaluar udhëtimet për gratë kur ato janë vetëm dhe i lejojnë ato të udhëtojnë jashtë vendit vetëm me burrat e tyre ose një shoqëruesi tjetër (burrë nga familja e afërt) si vëllai, xhaxhai ose babai. Këta lloj shoqërues në Afganistan quhen “mahram”.

“Tre vajza që kishin një mahram kishin hyrë brenda në aeroplan. Por zyrtarë nga ministria e të Ligës dhe Virtytit urdhëruan që ato të zbrisnin”, thotë Natkai.

Pjesa tjetër e studenteve ishin shumë të frikësuara për të folur me mediat.

“Ky është një lajm alarmues përtej nivelit të jashtëzakonshëm të mizorisë që talebanët tashmë ushtrojnë duke u mohuar arsimimin e vajzave dhe grave”, tha Heather Barr nga Human Rights Ëatch.

Një zëdhënës i lartë i talebanëve, Zabihullah Mujahid, nuk pranoi të komentojë nën arsyetimin se nuk kishte asnjë informacion.

Natkai tani është tejet e dëshpëruar. Ajo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe po përgatitej për provimin e pranimit në universitet, pikërisht në kohën kur talebanët morën pushtetin më 15 gusht 2021. Ajo i bën thirrje botës që të mos braktisin vajzat afgane dhe arsimimin e tyre. “E humba këtë mundësi në një vend ku të jesh vajzë është krim. Jam shumë e dëshpëruar dhe nuk di çfarë të bëj apo çfarë do të më ndodhë më tutje”, deklarohet ajo për BBC.