Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vatikani jep bekimin për martesat e çifteve të të njëjtit seks

QIKA 21.12.2023

Të hënën me një vendim historik të miratuar nga Papa Françesku u tha se priftërinjtë katolikë mund të bekojnë martesat e çifteve të të njëjtit seks për aq kohë që ata nuk janë pjesë e ritualeve apo liturgjive të rregullta të kishës.

Në dokumentin nga zyra doktrinale e Vatikanit thuhet se bekimet e tilla do të ishin shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë. Vendimi deklaron se po hap “mundësinë e bekimeve për çiftet në situata të parregullta dhe për çiftet e të njëjtit seks”, megjithëse thotë se i lë vendimet në “aftësinë dalluese e të matur dhe atërore të priftërinjve”, raporton Reuters.

Vendimi i së hënës pasqyron një qasje më gjithëpërfshirëse të Papës dhe shënon avancim nga vendimi i vitit 2021 i zyrës së doktrinës së Vatikanit, që ndalonte çdo bekim të këtij lloji, duke thënë se Zoti “nuk mund të bekojë mëkatin”.

Ati James Martin, prift i shquar jezuit amerikan e quajti dokumentin “një hap të madh përpara në shërbimin e kishës”. Në një postim në X Martin u shpreh se dokumenti “njeh dëshirën e shumë çifteve katolike të të njëjtit seks për praninë e Zotit në marrëdhëniet e tyre të dashurisë”.

Martin Hardwick dhe Andrew Gibb nga Mançesteri, të cilët janë martuar dhe kanë qenë së bashku për 41 vjet, thanë se lëvizja është shumë e vonuar, derisa vendimi i së hënës është kundërshtuar nga konservatorët, të cilët veçse e kishin kritikuar Papën kur ai bëri komentet e para rreth kësaj çështjeje në tetor.