Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vështirësitë e grave pakistaneze për të luajtur kriket

QIKA 18.1.2022

Bisma Amjad luan kriket. Ajo ka aspirata të luajë ndërkombëtarisht dhe u zgjodh si lojtare për skuadrën e Pakistanit për Kupën e Botës U-19. Por kur erdhi pandemia, për shkak se ajo ishte grua, nuk kishte ku të ushtronte, kështu që ajo u vesh si burrë për të luajtur “gully cricket” – kriket i rrugës, së bashku me djem.

“Djemtë luanin kriket edhe gjatë pandemisë. Por lëvizja e vajzave ishte e kufizuar, kështu që ne nuk mund të luanim fare. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të vishesha si burrë dhe të stërvitesha me ta”, thotë Amjad, 19 vjeçare, e cila ka luajtur në ndeshjet e klasit të parë dhe rajonal.

Në qarqet tradicionale në Karaçi, Amjad dëgjon komente të vazhdueshme si “lëkura jote do të bëhet më e errët” ose “është një lojë djemsh dhe ti po humb kohën tënde. Kryej një kurs që do të ndihmojë pas martesës.”

“Një shoqe e imja i ka prerë flokët që të mund të shkojë të luajë pa u dalluar që është vajzë. Gratë që merren me sport duhet të luftojnë shumë në shoqërinë tonë”, thotë Amjad.

Babai i Amjadit e mbështeti dhe e çoi në ndeshje, por kur ai u sëmur, ajo ndaloi së luajturi për disa muaj. “Pasi babai im u shërua dhe mora lejen e tij, mësova të ngas biçikletën në mënyrë që të mund të udhëtoj vetë. Çiklizmi solli problemet e veta. “Burrat do të thoshin ‘shiko, shiko, ajo po nget një biçikletë. Ajo mbante shami, çfarë ndodhi me të?”, thotë ajo.

Amjad u zgjodh për skuadrën U-19 të Pakistanit për të luajtur Kupën e Botës në vitin 2021, por ajo u anulua për shkak të pandemisë dhe tani ajo duhet të vazhdojë të luajë kriket të klasit të parë dhe të shpresoj të bëhet pjesë e ekipit kombëtar.

Bordi i Kriketit të Pakistanit (PCB) ende nuk ka propozuar një kornizë kohore për ligën e grave që kishte premtuar tre vjet më parë. Kryetari i saj Ramiz Raja ka konfirmuar se do të ketë një të tillë. Lajmi ka gëzuar kapitenen e kriketit të grave pakistaneze, Javeria Khan. “Kjo është shumë mirëpritëse pasi do të inkurajoj më shumë gra të luajnë kriket. Burrat kanë shumë turne të tillë ku mund të tregojnë talentin e tyre, por gratë nuk kanë mundësi të tilla”, thotë ajo

“Këtu, një grua duhet të punojë dy herë më shumë se një burrë për të vërtetuar talentin e saj. Diskriminimi gjinor ekziston në të gjithë botën, por në Azi, çështja është më e shfrenuar, shtoi Raja.