Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vrasja e studentes nxitë debatin lidhur me luftën kundër dhunës ndaj grave në Itali

QIKA 29.11.2023

Teksa senatorët italianë po debatonin për miratimin e një ligji të ri që forcon mbrojtjen për gratë, kishin vetëm një emër në qendër të diskutimit të tyre: Giulia Cecchettin, një studente 22 vjeçare, vdekja e dhunshme e së cilës ka nxitur shpërthime të reagimeve dhe debatit mbi atë se si të çrrënjoset kultura shoviniste në shoqërinë italiane.

Cecchettin u zhduk më 11 nëntor dhe zhdukja e saj u pasua me kërkime që përfunduan një javë më vonë pas gjetjes së kufomës së saj, të mbështjellë në qese plastike, në një kanal pranë një liqeni në rajonin verior të Friuli Venezia Giulia.

Ajo u zhduk pasi u takua me ish-të dashurin, Filippo Turetta, 21 vjeç, në një qendër tregtare. Hetuesit lëshuan një urdhër për arrestimin e tij nën dyshimin për rrëmbim dhe vrasje. Ai u kap të dielën në një autostradë nga policia në Gjermani. Turetta-s ende nuk i është ngritur aktakuza zyrtare dhe aktualisht po pritet ekstradimi i tij nga Gjermania.

Rasti ka tronditur gjithë Italinë, ku qëndrimet shoviniste mbeten të rrënjosura thellë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe ku trajtimi i dhunës ndaj grave mbetet ende sfidues, raporton New York Times. Edhe para këtij rasti, Ministria e Brendshme e vendit këtë vit kishte regjistruar mbi 100 gra të vrara nga partnerët intimë.

Ministri i Arsimit në Itali, Giuseppe Valditara, u bëri thirrje shkollave të mbajnë një minut heshtje për nder të Cecchettin të martën e kaluar, por shumë studentë vendosën të protestojnë kundër dhunës ndaj grave duke e kaluar minutën me zhurmë. “Të mos qëndrojmë në heshtje! Për Giulian. Për të gjithë”, shkroi grupi avokues Non Una Di Meno.

Të mërkurën në mbrëmje, Senati miratoi një sërë masash të dizajnuara për të forcuar mbrojtjen për gratë, duke përfshirë thjeshtimin e procesit për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes dhe duke i dhënë përparësi çështjeve gjyqësore që kanë të bëjnë me dhunën në familje. Ligjet megjithatë, nuk janë adresa ku shumë ekspertë e shohin problemin. “Ne kemi ligje dhe ato janë në rregull, edhe pse mund të përmirësohen,” tha Elena Biaggioni, avokate dhe nënkryetare e D.i.Re, rrjet kombëtar kundër dhunës i drejtuar nga organizatat për të drejtat e grave. “Problemi është zbatimi i atyre ligjeve”, shtoi ajo.

Një raport i këtij viti lidhur me politikat për mbrojtjen e grave gjeti se shpenzimet e qeverisë për këtë çështje ishin më shumë se dyfishuar dekadën e fundit, ndërsa numri i grave të vrarë nga partnerët e tyre kishte mbetur i njejtë. “Qeveria italiane investon kryesisht në mbrojtjen e grave që tashmë janë viktima të dhunës, por jo në projekte për të parandaluar atë dhunë”, tha Rossella Silvestre e ActionAid, grupi jofitimprurës që hartoi raportin. Por parandalimi, tha ajo, është “ajo që do t’i ndryshojë këto shifra”.

Valeria Valente, një senatore nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, tha se dhuna në familje në Itali pasqyronte një mentalitet të rrënjosur. “Mendoni për shakatë seksiste, reklamat në Itali, ngacmimet në vendin e punës dhe paaftësinë e shumë burrave për të pranuar autoritetin e grave,” tha ajo. “Nuk ka të bëjë vetëm me një burrë të dhunshëm, ky është një qëndrim i përgjithshëm.”

Edhe ministrat në qeverinë e djathtë të Italisë, të udhëhequr nga kryeministrja e parë grua, Giorgia Meloni, kanë folur gjithashtu për dhunën ndaj grave si një çështje kulturore në ditët pas vdekjes së Cecchettin dhe varësisht prej sektorit që udhëheqin kanë marrë disa iniciativa për të rritur ndërgjegjësimin mbi dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje.

Cecchettin u vra disa ditë para diplomimit për inxhinieri biomjekësore. Universiteti i Padovës, ku ajo studioi, ka premtuar se do t’i japë diplomën pas vdekjes.