Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vrasjet ndaj grave trans të zeza janë në rritje

QIKA 15.6.2021

Gjashtë vite më parë, Stephanie Houston, banore e Dallasit, ishte duke vozitur prej marketit për në shtëpi me djalin e saj adoleshent, i cili në atë moment i shprehi nënës së tij “Tani do të jetoj jetën time si grua”. Pierre, i cili në atë kohë ishte 17 vjeç, nxori fjalë që ndryshuan jetën e tyre përgjithmonë.

“Për pak sa nuk bëra ndeshje me veturë. Dhe i thash ‘Si do ta bësh këtë?’”, shprehi Houston në emisionin “United Shades of America,” i cili shqyrton sfidat me të cilat përballen gratë e zeza trans në episodin e së dielës, raporton CNN.

Pak pas kësaj, Pierre u bë gruaja transgjinore me emrin Muhlaysia Booker. Në prill të vitit 2019 ajo u sulmua nga një burrë në parkingun e një kompleksi të apartamenteve në Dallas, ndërsa në anën tjetër ishin disa njerëz të cilët bërtitnin me sharje transfobike dhe homofobike. Një muaj pas kësaj ngjarje, Booker u qëllua për vdekje, kur ajo ishte vetëm 23 vjeç.

Ajo që i ndodhi Booker, është trend shqetësues. Aktivistët shprehën se dhuna vdekjeprurëse kundër personave transgjinorë dhe me gjini jokonformiste është rritur viteve të fundit dhe shumë prej viktimave ishin gra të zeza transgjinore.

Booker ishte një nga 27 personat transgjinorë dhe jokonformist të vrarë në vitin 2019-të në SH.B.A., sipas Fushatës së të Drejtave të Njeriut. Prej tyre, të paktën 21 gra ishin të zeza transgjinore.

Vitin e kaluar, në mes të pandemisë, të paktën 44 persona transgjinorë ose me gjini jokonformuese u vranë në SH.B.A., numri më i lartë që kur Fushata e të Drejtave të Njeriut filloi të gjurmonte të dhënat në vitin 2013-të. Nga ato, rreth gjysma ishin gra transgjinore, shumica e tyre të zinj.

“Dhuna fatale prek në mënyrë joproporcionale gratë transgjinore të zeza sepse ato përjetojnë shtypje të ndërthurur me racizëm, seksizëm, homofobi, bifobi, transfobi”, tha Alphonso David president i HRC (Human Rights Campaign) për CNN.

Houstonit iu desh të mësohej që ta pranonte vajzën e saj

Houston tregoi historinë e ditëlindjes së 18-të të vajzës së saj, menjëherë pas grindjes së tyre në makinë, ku ajo ishte duke e pritur vajzën e saj në shtëpi, dhe ajo erdhi e veshur me rroba të grave. Ky ishte momenti i parë ku ajo ishte ekspozuar në këtë mënyre para nënës së saj.

Houston shprehi se “Unë u bashkëngjita pak në ditëlindjen e saj, por më pas u detyrova të shtrihem sepse ishte e rëndë për mua”. Ajo shtoi se “Kam një prejardhje krishtere, dhe gjithmonë kjo na u është mësuar si diçka e gabuar”.

Ajo kishte vërejtur se vajza e saj ishte më ndryshe tani, ishte më e lumtur, kishte më shumë vetëbesim dhe ishte plot jetë. Houston shprehë se vajza e saj i thoshte vazhdimisht “mami, ti duhet të fillosh të më quash Muhlaysia, unë nuk jam Pierre”, derisa ajo e pranoi dhe filloi ta thërriste atë në emrin e saj.

Ligjet e reja të shtetit po i targetojnë personat transgjinorë

Ndërsa nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse, David tha se rreth 2 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara identifikohen si transgjinorë ose jo binarë (identitet gjinor që nuk kategorizohet si ekskluzivisht burrë ose grua).

Shumë njerëz transgjinorë kanë vështirësi të jetojnë jetë normale dhe të hapur për shkak të abuzimit dehumanizues dhe frikës se mos i sulmojnë, tha David.

Në Prill të këtij viti, Presidenti Biden u zotua për mbështetje për amerikanët transgjinorë gjatë fjalimit të tij në një sesion të përbashkët të Kongresit. Gjithashtu pranimi publik i amerikanëve LGBT duket se është në rritje.

Më shumë se 70% e popullit amerikan tani mbështesin barazinë dhe mbrojtjen pa diskriminim për personat LGBTQ dhe më shumë se dy të tretat kundërshtojnë legjislaturën anti-LGBTQ, tha David nga HRC. Çdo zgjedhje po sjellë më shumë votues që mbështesin barazinë, tha ai.