Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut ishte deklaruar kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë

QIKA 23.3.2021

Emilia Rexhepi është zgjedhur Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut. E njëjta, në intervistën me Kallxo.com në vitin 2019, kur u pyet se nëse është për apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, kishte deklaruar se është kundër.

Lidhur me këtë ka reaguar Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL) e cila ka kërkuar nga Rexhepi që të dal publikisht me një deklaratë dhe të tërheq qëndrimin e saj të mëparshëm.

Reagimi i plotë i CEL:

Fakti që një person që përfaqëson dhe thirret në të drejta të njeriut e që synim gjoja ka “respektimin e ligjit për punësimin e komuniteteve pakicë” dhe “avansimin e grave në të gjitha lëmitë shoqërore” dhe njëkohësisht diskriminon publikisht komunitete të tjera – LGBTI – është ironike dhe lë të nënkuptohet se i gjithë avokimi dhe lobimi për të drejta të njeriut nuk është i sinqertë.

Mospërfaqësimi i denjë i deritanishëm në nivel institucional ka bërë që të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e personave LGBTI+, të mos jenë asnjëherë prioritet i qeverisë sonë e që vazhdimisht të shkelen e të mos respektohen.

Në Kosovën me një shoqëri me shumicë homofobike e transfobike është i nevojshëm ndërgjegjësimi nga lart poshtë. Përderisa personat LGBTI+ nuk do të kenë përfaqësim të dinjitetshëm nga udhëheqësit e vendit, ata do të vazhdojnë të diskriminohen në baza ditore.

CEL Kosova i bën thirrje Emilia Rexhepit që të dal publikisht me një deklaratë dhe të tërheq qëndrimin e saj të mëparshëm pasi që tashmë përgjegjësitë e saj për përfaqësim të popullit kosovar janë shtuar me automatizëm që kur është përzgjedhur Zëvëndëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut.

Personat LGBTI+ janë qytetarë dhe taksapaguesë të Kosovës dhe duhen trajtuar në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë dhe t’u respektohen të drejtat.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.