Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Çifteve të pamartuara në Iran nuk u njihet e drejta e kujdestarisë për fëmijët e lindur

QIKA 29.10.2021

Neni 1167 i kodit civil të Iranit deklaron se “një fëmijë i lindur nga çifti i pamartuar zyrtarisht nuk duhet t’i përkasë atyre”. Ky nen do të thotë se prindërit e pamartuar nuk kanë të drejtë kujdestarie si çift dhe vetëm nëna mund të kërkojë që emri i saj të përfshihet në çertifikatën e lindjes së fëmijës.

Sa i përket fëmijës, autoritetet mbajnë një regjistër konfidencial të të lindurve në rrethana të tilla. Ky informacion mund t’i pengojë ata të gjejnë punë të caktuara në të ardhmen.

Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare për çiftet bashkëjetuese (pa martesë zyrtare), ato po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Pasi nuk arritën t’i ndalojnë këto lloje të lidhjeve, zyrtarët e alarmuar tani duhet të përballen me dilemën se çfarë të bëjnë me fëmijët e çifteve që bashkëjetojnë.

“Në fund të ditës, ata fëmijë do të duhet të marrin çertifikatat e tyre të lindjes përpara se të regjistrohen në shkolla”, tha së fundmi zëvendësministri i Çështjeve të Rinisë, Mohammad Mehdi Tondgouyan, duke paralajmëruar se pasojat e mos-adresimit të çështjes mund të jenë katastrofike.

Ish-deputetja reformiste, Parvaneh Salahsouri shtatorin e kaluar foli për këtë çështje, me ç’rast  paralajmëroi se aborti ishte opsioni i vetëm për gratë që bashkëjetonin e që mbetën shtatzënë. Institucionet e Iranit në anën tjetër argumentojnë se sfidat ekonomike dhe ritualet e ndërlikuara para martesës po i shtyjnë iranianët beqarë të largohen nga martesat konvencionale e të miratuara nga feja.

Në Iran aborti është i ligjshëm vetëm nëse shtatzënia paraqet rrezik për jetën e gruas ose nëse fetusi ka deformime të rënda fizike. Për shkak të këtyre kufizimeve, pilula e abortit nuk është e disponueshme në treg dhe shumë gra detyrohen të kërkojnë aborte të paligjshme që mund të jenë të pasigurta.