Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Feministet ukrainase në luftë

QIKA 29.11.2023

Svitlana Dubyna njihet si feministja kryesore në qytetin e saj të lindjes, Vinnytsia, në Ukrainë. Edhe pse një aktiviste me përvojë, Svitlana e sheh këtë titull si problematik: qëndrimet ndaj lëvizjeve feministe ndryshojnë dhe për shkak të mungesës së njohurive, gratë feministe ende shihen me skepticizëm. “Unë thjesht qesh dhe u them se nuk hamë burra për mëngjes, përveç nëse është ëmbëlsirë,” bën shaka Svitlana. Si kryetare e bordit të OJQ-së për të drejtat e njeriut “VIS” (“Axis”), ajo tregon se cila ishte rruga e saj drejt feminizmit dhe si ka mbijetuar lëvizja që nga fillimi i luftës në përmasa më të gjëra në Ukraine.

Ku do të ishe nëse nuk do të kishte asnjë feministe?

Svitlana pajtohet me thënien e Virginia Woolf se “feministe është çdo grua që tregon të vërtetën për jetën e saj”. Megjithatë, ajo e pranoi se pavarësisht se u përmbahej gjithmonë parimeve feministe, ajo u identifikua si feministe shumë më vonë në jetë. Aktivistja kujton: “Unë një herë thashë se mbështesja barazinë gjinore, por nuk isha feministe.”

Ajo hodhi poshtë dhe u rezistoi si fëmijë nocioneve se vajzat në shkollat sovjetike duhet të zgjidhnin karriera “femërore” dhe të mbanin fjongo në flokët e tyre. Ajo u quajt një “fëmijë i komplikuar” dhe mori nota të ulëta si pasojë e sjelljes së saj.

Svitlana shprehet se “Feminizmi im buronte nga vetëdija për padrejtësinë dhe nevojën për drejtësi”. Sot, ajo është specialiste e certifikuar në trajnimin për të drejtat e njeriut. Ajo është drejtuese e OJQ-së VIS, e cila këtë vit feston 13-vjetorin. “Por vetëm në vitin 2017 filluam ta shihnim organizatën tonë si feministe, kur mbajtëm “Femencamps”-et e para – kampe feministe për vajza”, thotë ajo.

Një fushatë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit ishte ndër iniciativat e para të VIS. Në Ukrainë, për çdo orë vdes një grua nga kanceri. Svitlana dhe bashkëpunëtorët e saj hetuan arsyet e vonesës së grave për ekzaminime mjekësore, raporton OSBE.

“Përgjigjet ishin të papritura,” tha Svitlana. Pjesa më e madhe e grave kishin frikë se partnerët e tyre do t’i braktisnin. Çfarë fusin ata në mendjet e grave dhe vajzave? Sa janë gratë nën presion për të vënë në rrezik jetën e tyre?

Përpjekjet e mëdha të bëra nga gratë për të fituar të drejtat e tyre shpesh anashkalohen nga shoqëria, pavarësisht historisë së gjatë të suksesit të lëvizjes feministe: “Kur i vërejnë njerëzit shkeljet e të drejtave të njeriut? – kur përballen me to” thotë Svitlana.

Mbështetja e grave të prekura nga lufta

Lufta në shkallë të gjerë i ka bërë edhe më të rënda vështirësitë me të cilat përballen feministet ukrainase.

“Pavarësisht nga të gjitha shenjat paralajmëruese, unë nuk isha e përgatitur për luftën. Ne madje morëm një kërkesë nga Fondi Global për Gratë për të rivendosur fondet e granteve nëse nevojitej, dhjetë ditë përpara fillimit të pushtimit,” kujton Svitlana.

Për të ndihmuar personat e zhvendosur brenda vendit, VIS dhe OJQ të tjera rajonale ngritën një qendër humanitare në fazat e hershme të konfliktit. Trenat që transportonin furnizime evakuimi mbërrinin shpesh në Vinnytsia në atë kohë. Në stacionin e trenit, Svitlana po shpërndante ndihma humanitare së bashku me koleget e saj. Telefoni i saj binte gjithë ditën dhe natën.

“Kemi punuar shtatë ditë në javë, njëzet e katër orë në ditë, pa pushim, nga fundi i shkurtit deri në gusht. Me raste, pasi kthehesha në shtëpi, rrija në heshtje për dyzet e pesë minuta ose më shumë, pa e hequr fare xhaketën. Tani e kuptoj se kështu munda të shpëtoja shëndetin tim mendor”, shprehet një vullnetare.

Rreth 10,000 njerëz kanë përfituar nga VIS që atëherë. “Paketat nuk shpërndahen më nga ne. Në bashkëpunim me një zinxhir dyqanesh me pakicë, ne zhvilluam një sistem kuponësh që i lejon klientët të zgjedhin atë që u nevojitet. Çfarë lidhje ka kjo me feminizmin? Ka të bëjë veçanërisht me respektimin e nevojave individuale”, thotë Svitlana.

Gratë e prekura nga lufta janë në fokus të një tjetër projekti që ndërmerr VIS, i cili ka në fokus ka fuqizimin e tyre ekonomik. Ai ofron mjete thelbësore për të mbështetur gratë në zbatimin e ideve të tyre të biznesit. Organizata bën blerje pajisjesh për të ndihmuar gratë të hapin dhe të rrisin bizneset e tyre, si makinat e qepjes dhe furrat e pjekjes.

Sipas Svitlanes, grupi tani përbëhet nga punonjës të përkushtuar që punojnë me kohë të plotë dhe vullnetarë që marrin pjesë në projekte sipas nevojës.

Një dialog mes shteteve

“Gratë feministe në Ukrainë nuk qëndrojnë me duart e tyre të shtrira sepse janë shumë të zëna duke bërë gjëra të tjera.”Svitlana Dubyna tani u drejtohet kolegëve të saj globalë me këto vërejtje. Ajo shpjegon se arriti të vlerësojë vlerën e komunikimit midis kombeve që janë përfshirë në konflikt të armatosur si rezultat i marrjes pjesë në takimin e projektit ËIN të OSBE-së.

“Ky takim i Vjenës më bëri të kuptoj se sa i rëndësishëm është komunikimi i gjerë. Përafërsisht tre muaj më parë, fillova të shkoj në këto ngjarje. Më parë mendoja se ishte humbje kohe. Mendova se isha më e dobishme këtu në Ukrainë”, thotë Svitlana.

Ajo tërheq vëmendjen për rolin ndihmues të komunikimit që mund të luajë OSBE në ndërtimin e paqes midis mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Svitlana sugjeron planifikime të udhëtimeve studimore në vendet që kanë përfunduar së fundmi një konflikt si një mënyrë për të mësuar dhe për të marrë përvojë të drejtpërdrejtë në këto fusha. Ajo beson se duke qenë se janë ata që mund të japin njohuritë më të rëndësishme, është thelbësore të flasësh me dëshmitarët dhe të mbijetuarit e konflikteve.

Kur të përfundojë lufta

Svitlana Dubyna shpreson që Ukraina të fitojë me sa më pak humbje dhe nuk mendon se paqja mund të arrihet pa fitore. “Edhe pas gjithë kësaj kohe, zgjohem çdo mëngjes duke menduar, Zot, ky nuk mund të jetë realiteti ynë”, thotë ajo.

Svitlana është e vendosur që pas luftës, Ukraina do të jetë në gjendje të krijojë një shoqëri të drejtë në të cilën të drejtat e njeriut do të respektohen. Aspiratat e saj për drejtësi tregojnë se çdo krizë ofron një shans për të korrigjuar gabimet historike dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë.

Pasi të ketë mbaruar lufta, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mbrojtur drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. “Drejtësia është ajo që unë ëndërroj”, përfundon ajo.

Ky artikull është përkthyer nga Erblina Krasniqi në kuadër të programit “Bashkohu me QIKA”