Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë po rrisin mirëqenien e kryeportierëve të Ganës

QIKA 28.2.2022

Kayayei është term i cili përdoret nga ganezët për grua portiere që mban në kokë pothuajse çdo gjë, nga qeskat me ujë deri tek shportat e mbushura me gjësende. Shumica nga këto gra kanë migruar nga zonat rurale në ato urbane për të kërkuar punë.

Është pothuajse e pamundur të vizitosh kryeqytetin dhe të mos shohësh dhjetëra kayayei që enden në rrugë. Ato vendosin një leckë në formë rrethore sipër kokës së tyre në mënyrë që tu ndihmojë me balancimin e peshës që do të mbajnë në kokë. Për turistët, prania e kayayei nëpër rrugët e Ganës mund të duket si risi që i jep vendit një gjallëri. Por, në fakt këto gra punojnë orë të gjata shpesh në vapë ose lagështi dhe paguhen shumë pak.

Dhjetëra mijëra vajza dhe gra, disa prej tyre të mitura, gjejnë punësim si kayayei në qytetet më të mëdha të Ganës, si në Akra dhe Kumasi. Shumë prej tyre janë të punësuara nga të tjerët dhe punojnë si kontraktore të pavarura. Shifrat e publikuara nga Dialogu Kombëtar Kayayei i cili u mbajt muajin e kaluar në Ganë, tregojnë se aktualisht ka mbi 100,000 kayayei në vend, ku 70% e tyre gjenden në Akra, kryeqytetin ganez, raporton Condé Nast.

Janet Abobigu, ish-kayayei, tregon për rreziqet e kësaj pune. “Ndonjëherë ju i mbani gjërat e dikujt përgjatë gjithë rrugës dhe kur arrini në destinacionin e caktuar ata nuk ju paguajnë”, tha ajo. Ndër të tjera ajo e konsideronte veten me fat për shkak se jetonte afër dhe mund të kthehej në shtëpinë e saj pas çdo dite pune. Mirëpo, shumë vajza dhe gra të tjera vijnë nga zonat më rurale ku mundësitë për jetesë janë të kufizuara. Shumë prej tyre migrojnë në qytete për mundësi të punësimit më të mirë ose për të shmangur detyrimet për martesë.

Abobigu pohon se puna si kayayei është mjaft e lodhshme dhe e rrezikshme. Me kushtet minimale për siguri, ajo pohon se shumë herë ka ndjerë se qafa e saj ishte gati për t’u thyer. “Njerëzit përfitojnë prej këtyre grave. Ata vjedhin paratë e tyre, i përdhunojnë dhe u transmetojnë sëmundje”, u shpreh Abobigu.

Kimberly Afreeka-Okolieaboh, punonjëse sociale në klinikën ndërkombëtare dhe themeluese e K.I.M.S Kids Foundation, organizatë që ka për qëllim fuqizimin e të rinjve duke përfshirë edhe kajayei, thotë se shumica e këtyre grave fitojnë vetëm sa për të ngrënë përgjatë ditës apo nuk fitojnë asgjë. Afreeka-Okolieaboh po planifikon të ndërtojë një fshat për të strehuar kayayei dhe të tjerët në nevojë, i cili do të jetë i kompletuar me energji diellore dhe banesa të sigurta. Ndërsa, Kaya Childcare, është një tjetër organizatë që synon ofrimin e alternativave për kayayei, duke u ofruar kujdesin arsimor fëmijëve, ofrimin e ekzaminimeve të përgjithshme shëndetësore dhe furnizim me ushqim.