Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Grupi i vajzave rome në Serbi po këndon për fuqizimin e grave

QIKA 23.6.2021

Formuar në vitin 2014, grupi Pretty Loud kërkon në mënyrë simbolike fuqizimin e zërave të vajzave rome dhe inkurajimin e arsimimit të tyre për të evituar zakonin e përhapur të martesave të hershme.

Pretty Loud ka fituar popullaritet dhe vëmendje ndërkombëtare duke performuar edhe në Londër gjatë vitit të kaluar, në festivalin e muzikës Women of The Year.

Ky grup i vajzave rome në Serbi është duke përdorur muzikën për të promovuar fuqizimin e grave brenda komunitetit të tyre, rrjedhimisht duke sfiduar traditat thellësisht të rrënjosura në shoqëri dhe dominimin shekullor të burrave.

Këngët e tyre flasin për gratë e lidhura për zinxhirët e dhunës ndër gjenerata apo për nuset adoleshente të cilat detyrohen të martohen nga baballarët e tyre. Ato u thonë grave që të kërkojnë dashurinë, të luftojnë dhe të angazhohen për të drejta të barabarta.

“Ne duam t’i ndalojmë martesat e hershme … ne duam që vetë vajzat, dhe jo prindërit e tyre, të vendosin nëse duan të martohen apo jo,” tha Silvia Sinani, një nga anëtaret e grupit. “Ne duam që çdo grua të ketë të drejtën të dëgjohet, të ketë ëndrrat e saj dhe të jetë në gjendje t’i përmbushë ato, të jetë e barabartë.” 

Muzika e grupit, një kombinim i repit dhe ritmeve tradicionale rome,  kryesisht targeton një brez të vajzave të reja të cilat ende nuk kanë bërë zgjedhjet e tyre të jetës – vetë grupi përfshin edhe dy motra binjake 14-vjeçare. Këngët trajtojnë pozicionin e grave në komunitetin e tyre dhe kërkojnë rritjen e  vetëdijes së tyre.

Një studim i UNICEF-it botuar vitin e kaluar, tregoi se mbi një e treta e vajzave në vendbanimet rome në Serbi, të moshës 15-19 vjeç, janë tashmë të martuara. Prej tyre, 16 përqind ishin martuar para se të ishin 15 vjeçe.

“Unë jam një shembull i martesës së hershme”, tha anëtarja e grupit Zlata Ristic, 27 vjeç, e cila kishte lindur një djalë në moshën 16 vjeçe. “Askush nuk më detyroi ta bëja, por unë e kam kuptuar tashmë se nuk duhej ta kisha bërë.”

Tani një nënë beqare, Ristic tha se dëshiron që gratë e tjera në situata të ngjashme ta dinë se jeta e tyre nuk mbaron pasi të kenë fëmijë dhe se ato ende mund t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

Ndër komunitetet etnike më të ndër privilegjuara në Serbi dhe Evropë, romët kryesisht jetojnë në vendbanime të ndara në skajet e shoqërisë, duke u ballafaquar me varfëri, papunësi dhe paragjykime.

Aktivistët kanë paralajmëruar se pandemia COVID-19 ka nxitur edhe më tej izolimin shoqëror dhe varfërinë e grupeve të margjinalizuara. Ndërprerja e shkollimit të rregullt për shkak të izolimit nga virusi e ka bërë edhe më të vështirë qëndrimin në sistem të fëmijëve romë.