Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

ORCA: Gratë u diskriminuan në regjistrim për shkollimin specialistik

QIKA 21.7.2023

Gjetjet nga organizata ORCA shpërfaqin praktikat diskriminuese ndaj grave që kishin aplikuar për Shkollimin Specialistik. Sipas ORCA, vitet e shtatzënisë dhe lehonisë të grave studente iu janë llogaritur si vite të humbura të shkollimit dhe për këtë arsye ato kanë humbur pikë për tu kualifikuar për shkollim specialistik.

Për shkak të këtij diskriminimi kërkohet anulimi i konkursit meqenëse kjo praktikë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e tjera të aplikueshme, shkruhet në reagimin publik të ORCA-s.

Reagimi i plotë:

“I PAPRANUESHËM DISKRIMINIMI I GRAVE NË REGJISTRIM PËR SHKOLLIMIN SPECIALISTIK

ORCA fton që rezultatet e shpallura të konkursit për Shkollimin Specialistik nga Ministria e Shëndetësisë të anulohen dhe të rishqyrtohen me qëllim të evitimit të praktikës diskriminuese ndaj grave. ORCA ka verifikuar se në disa raste, studenteve gra që kanë qenë në shtatzëni gjatë shkollimit të tyre, vitet e shtatzënisë dhe lehonisë u janë llogaritur si vite të humbura për çka ato kanë humbur pikë dhe si rrjedhojë disa nga to nuk kanë mundur të kualifikohen për shkollim të mëtutjeshëm specialistik.

ORCA i sjell në vëmendje publikut se vitet e shtatzënisë nuk mund të konsiderohen vite të humbura, përkundrazi shtatzënia dhe lehonia janë kontribut për sjelljen e jetëve të reja në shoqërinë tonë. Konsiderimi i pushimit të shtatzënisë dhe lehonisë si vite të humbura gjatë studimeve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës, me Statutin e UP-sh si dhe me ligjet e tjera të aplikueshme në vend dhe si rrjedhojë i papranueshëm për shekullin 21.

ORCA kërkon që rezultatet e shpallura të anulohen dhe kandidaturat për shkollim specialistik të rishqyrtohen duke marrë në konsideratë vërejtjen e dhënë. Shtypja strukturore ndaj grave ndikon në jetën e tyre akademike dhe e bënë më të vështirë atë. Është detyrë e institucioneve të Republikës që të kujdesen për heqjen e barrierave ndaj grave, jo vetëm në mënyrë ad hoc siç po ndodh, por duke internalizuar në çdo proces administrativ frymën anti diskriminuese dhe të barazisë gjinore.”