Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pse po bëhet më e vështirë për gratë të raportojnë ngacmimet?

QIKA 22.6.2023

Për gratë ka qenë gjithmonë e vështirë të raportojnë sjellje të pahijshme në vendin e punës. Por një ekonomi e pasigurt dhe paqëndrueshmëria e punësimit mund ta përkeqësojnë problemin edhe më shumë.

Të dhënat globale tregojnë se ngacmimet në vendet e punës – ku përfshihen veprime të tilla si sjelljet e vazhdueshme seksuale të padëshiruara ose bullizimi – është i shfrenuar dhe se prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe pakicat. Të dhënat e vitit 2023 nga raporti vjetor Gratë në Punë të Deloitte tregojnë se rreth 44% e grave, në një anketë me 5000 gra në 10 vende të ndryshme, kishin përjetuar ngacmime, mikro-agresione ose të dyja në vendin e punës gjatë vitit të kaluar.

Përderisa statistikat në vetvete janë shqetësuese, ajo që është ndoshta edhe më shqetësuese është se përqindja e grave që kanë përjetuar ngacmime, por që kanë zgjedhur të mos e raportojnë është e lartë – dhe mund të jetë në rritje. Studiuesit e Deloitte zbuluan se vetëm 59% e grave që thanë se ishin ngacmuar i raportuan incidentet punëdhënësit të tyre, nga 66% në sondazhin e vitit të kaluar.

“Kjo është një rënie shqetësuese, pasi zbulon se shumë gra nuk ndihen rehat të raportojnë ngacmimet dhe përqindja vetëm po rritet,” thotë Emma Codd, Drejtuesja Globale e Përfshirjes së Deloitte, me qendër në MB.

Ekspertët në të gjithë fushat ligjore, akademike dhe të burimeve njerëzore thonë se arsyet e rënies së raportimit ka të ngjarë të jetë rezultat i një kombinimi faktorësh: nga frika e hakmarrjes, tek ndjenja se sjellja ose veprimet mund të mos jenë mjaft serioze për t’i raportuar.

Kurse disa ekspertë thonë se numri i atyre që nuk kanë raportuar ngacmime mund të rritet për shkak të perspektivës aktuale të pasigurt ekonomike dhe tregut të paqëndrueshëm të punës – dy faktorë që tradicionalisht kanë ndikuar në mënyrë disproporcionale tek gratë që punojnë. Codd thekson se rreth një e pesta e grave që kanë përjetuar ngacmime në punë, por që vendosën të mos e raportojnë, thanë se vendimi i tyre ishte nxitur nga shqetësimi se raportimi i sjelljes do të ndikonte negativisht në trajektoren e tyre të karrierës.