Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Shëruesit spiritual” që po abuzojnë seksualisht me gratë

QIKA 10.8.2023

Vëmendje: Ky artikull trajton tema të dhunimit dhe ngacmimit seksual

Shërimi shpirtëror, i njohur edhe si “shërimi kur’anor”, është një praktikë e njohur në botën arabe dhe myslimane. Janë kryesisht gratë që vizitojnë shëruesit – duke besuar se mund të zgjidhin problemet dhe të kurojnë sëmundjet duke dëbuar shpirtrat e këqij të njohur si “xhin”.

Një hulumtim nga BBC Arabic, zbuloi të vërteta të fshehura prapa “shëruesve spiritual” të cilët po abuzojnë gratë seksualisht në emër të shërimit. Dëshmitë e mbledhura nga 85 gra, gjatë një periudhe prej më shumë se një viti, përmendin 65 të ashtuquajtur “shërues” në Marok dhe Sudan – dy vende ku praktika të tilla janë veçanërisht të njohura – me akuza që variojnë nga ngacmimi deri te dhunimi seksual.

Dalal (nuk është emri i saj i vërtetë) kërkoi trajtim për depresionin nga një shërues shpirtëror në një qytet afër Casablanca disa vite më parë, kur ajo ishte në mesin e të 20-ave. Ajo thotë se shëruesi i tha se depresioni ishte shkaktuar nga një “dashnor xhind” që e kishte pushtuar atë. Në një seancë individuale, ai i kërkoi asaj të nuhaste një aromë që ai tha se ishte një lloj myshku – por që ajo tani beson se ishte drogë, sepse humbi vetëdijen.

Dalal, e cila nuk kishte pasur kurrë më parë ndonjë përvojë seksuale, thotë se kur u zgjua vërejti se i kishin hequr të brendshmet dhe kuptoi se e kishin përdhunuar. Ajo thotë se filloi t’i bërtiste raqit (shërues kuranor), duke e pyetur atë se çfarë i kishte bërë asaj.

Shumë nga gratë e intervistuara kishin thënë se ishin të frikësuara se do të fajësoheshin vetë ato nëse do të raportonin abuzimin që kishin përjetuar, dhe për këtë arsye shumë pak ua kishin thënë këtë familjeve të tyre, e lëre më policisë.

Ky hetim u zhvillua nga një gazetare e BBC, e cila në mënyrë të fshehtë shkoi për të mbledhur më shumë prova duke u shfaqur si “paciente” tek “shëruesit”.

Gazetarja, shkoi të kërkonte ndihmë si një kliente që vuan nga infertiliteti. Shejh Ibrahimi i tha se do të bënte një lutje për të dhe përgatiti një shishe “ujë shërues” – i njohur si “mahayya” – që ajo ta merrte në shtëpi dhe ta pinte.

Gazetarja shprehu se më pas ai u zhvendos për t’u ulur shumë afër saj dhe i vuri dorën në barkun e saj. Kur ajo i kërkoi t’ia hiqte dorën, ai thjesht e lëvizi atë poshtë trupit të saj, mbi rrobat e saj, në organet gjenitale.

BBC raporton se iu drejtuan edhe autoriteteve politike në Marok dhe Sudan me të gjitha provat.

Në Sudan, Dr Alaa Abu Zeid, kreu i departamentit të familjes dhe shoqërisë në Ministrinë e Çështjeve Islame, fillimisht hezitoi të besonte se kaq shumë gra kishin raportuar përvoja abuzimi. Por ai pranoi se mungesa e rregullimit ligjor të “shëruesve shpirtëror” po “shkaktonte kaos” dhe se roli po përdorej si “një profesion për ata që nuk kanë punë”.

Ai i tha BBC-së se kishte eksploruar rregulloren e saj në të kaluarën, por se paqëndrueshmëria politike e vendit nënkuptonte se ky problem nuk ishte aktualisht prioritet.

Pavarësisht të gjitha provave të mbledhura nga BBC, autoritetet marokene dhe sudaneze ngurrojnë të ndërmarrin veprime. Pra, barra mbetet mbi gratë që të flasin kundër atyre që fshihen pas një profesioni shërues.