Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vajzave studente në Manchester po u cenohet siguria nga klubi i djemve kundër abortit

QIKA 22.2.2024

Vajzat studente në Universitetin e Manchester po deklarojnë se kanë frikë që siguria e tyre po cenohet pasi një komitet i përbërë nga studentët djem ka krijuar një klub kundër abortit (pro-jetë).

Mbi 15,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion duke shprehur shqetësime rreth klubit, i cili është lejuar të formohet për shkak të ligjeve për lirinë e fjalës. Faqja e klubit në rrjete sociale thotë se qëllimi kryesor i klubit është “të krijojë një kulturë pro-jetë në kampus”. Një postim i mëvonshëm i klubit që ftonte studentët të bashkoheshin përfshinte profilet e tre studentëve djem.

Sindikata e studentëve tha se do të ishte e paligjshme të refuzohej aplikimi për formimin e klubit. Megjithatë, studentet janë të shqetësuara se grupi stigmatizon gratë dhe madje i ka bërë disa të ndihen të pasigurta.

“Sindikata e studentëve po hap rrugë drejt gjuhës së urrejtjes mizogjene”, tha studentja e vitit të dytë të gjuhësisë, Heather Bowling, për The Independent “Kur pashë se klubi është formuar m’u duk sikur isha në fillimin e një romani të ri të Margaret Atwood”, shtoi ajo.

“Universitetet supozohet të jenë qendra progresi, por ata po lejojnë funksionimin e klubeve që debatojnë mbi autonominë dhe të drejtat trupore të grave”, deklaroi ajo duke shtuar se ndjehej sikur sindikata e studentëve kishte vendosur të prioritizonte tre djem para 15,000 personave që nënshkruan peticionin.

Një deklaratë nga sindikata e studentëve të Universitetit të Manchester tha se nëse veprimet e një klubi përbëjnë gjuhë të urrejtjes ose ngacmime, ajo do të sfidohej në përputhje me procedurat përkatëse. “Nga ana ligjore, nuk është e mundur të ndalohet formimi i një klubi vetëm pse pikëpamjet e tij janë në kundërshtim me pikëpamjet e studentëve të tjerë”, deklaruan përfaqësues të sindikatës.

Nga ana tjetër klubi pro-jetë tha se lidershipi dhe anëtarësia e tij ka një diversitet të madh, por pohoi besimin e tyre që të drejtën për jetë nuk e sheh si një çështje gjinore.